Haxhiu për ikjen e mjekëve nga Kosova: Nëse vazhdon kështu mund të mbesim pa profesionistë shëndetësor

Vetëm në katër muajt e fundit, 11% e popullatës së Kosovës ka kërkuar të shkojë në Gjermani. E vetëm në tre muajt e fundit nga Kosova janë larguar 62 mjekë.

Për arsyet e largimit të profesionistëve shëndetësorë për Demokracia.com ka folur sot mjeku dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Haxhiu në një deklaratë për Demokracia.com ka dhënë disa prej arsyeve që po i detyrojnë mjekët kosovarë ta braktisin vendin e tyre.

Ai thotë se paga e vogël kundrejt punës që e bëjnë në Kosovë, është një arsye e fortë që mjekët po ikin.

“Arsyeja e ikjes se profesionistëve shëndetësor nga Kosova janë kushtet jo të mira të punës dhe paga e vogël në raport me punën e madhe që bëjnë.”, tha Haxhiu.

Deputeti Haxhiu thotë se Qeveria duhet të ndërmarrë sa më shpejt masa që mjekët të mos ikin.

“Për të ruajtur kuadrin shëndetësor në Kosovë duhet me urgjencë të ketë rritje të pagave, të sillet sa më shpejt në Kuvend për miratim Ligji i Pagave dhe të bëhet implementimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore”, shtoi Haxhiu.

Ai ka vlerësuar se nëse vazhdon kështu të neglizhohet çështja e ikjes së mjekëve, ekziston rreziku që Kosova të mbetet pa profesionistë shëndetësor.

“Duhet veprim i menjëhershëm nga Qeveria për të ruajtur profesionistët shëndetësor në Kosovë të cilët me të madhe po e braktisin. Duhet veprim i shpejtë për të ndalur këtë proces negativ sepse nëse neglizhohet kjo dukuri mund të mbesim pa profesionistë shëndetësor në Kosovë”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu i cili i ka propozuar Kuvendit të Kosovës që të votojë pro lejimit të tërheqjes së 30 për qind të parave të Trustit nga qytetarët e Kosovës, për Demokraci.com ka folur edhe për këtë çështje.

“Jam duke biseduar me të gjithë deputetët e të gjitha partive politike për ta votuar kërkesën e qytetarëve për tërheqje të 30% të Trustit”, ka thënë ai.