Para disa ditësh, zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se dikush nga të akuzuarit në Hagë ka marrë më shumë para se sa duhet për mbrojtjen e tyre. Për këtë deklaratë të Sallahut sot është deklaruar edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Ajo në një konferencë për media tha se deri më tani nuk kanë mundur që t’i bëjnë publike këto shpenzime për shkak që sipas saj një gjë e tillë nuk është lejuar me anë të një vendimi të marr nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.
Haxhiu konfirmoi se ky vendim tani është ndryshuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Me vendimin e ish-kryeministrit Haradinaj ne kemi qenë në pamundësi që të bëjmë publike veç e veç për personat se sa buxhet kanë marr për mbrojtejn e tyre. Prandaj në këtë drejtim, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit tash është marr vendimi nga kryeministri Kurti për të lejuar qasje në shpenzimet veç e veç ndaj këtyre personave”, ka thënë ajo.
Ndryshimi i këtij vendimi sipas Haxhiut do të lejojë qasjen në shpenzimet e secilit nga të akuzuarit në Hagë.
“ Ata persona marrin buxhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nuk ka se pse ta fshehim se sa buxhet është ndarë për cilin person. Edhe në koordinim me kryeministrin Kurti ne e kemi shfuqizuar atë vendim dhe na duhen edhe disa ndryshime në udhëzimin administrativ dhe pas shtatë ditësh pas publikimit në Gazetën Zyrtare kushdo që dëshiron qasje në to mund t’i ketë”, ka thënë Haxhiu.
\RTV-Okarina\