Haxhiu: “Kthim prapa, dëshprim e ikje të qytetarëve”,

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për grevat në arsim, pasi sipas tij, me presidentin e Serbisë po dialogon ndërsa me SBASHK-un jo.

“Qeveria është e gatshme që pa asnjë kusht të dialogojë me Serbinë e Vuqiqin, kjo nuk don koment! Çfarë pune me të rëndësishme ka Qeveria e Albin Kurti sot se sa të zgjidh problemin e grevës?! Qeveria Kurti duhet ta kuptojë se në qeverisje është për të menaxhuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve e jo për të shafqur kapriciot dhe egot personale”, u shpreh deputeti i PDK-së.

Si anëtar i Komisionit për Shëndetësi, Haxhiu ka numëruar problemet kryesore që po e karakterizojnë Ministrinë e Shëndetësisë.

“Politizimi i shëndetësis, klientelizmi, nepotizmi dhe  korrupsioni karakterizon Ministrinë e Shëndetësisë  dhe raporti i Auditimit për vitin 2021 nuk bënë dallim mes këtij apo atij ministri, por prezanton keqpërdorimet enorme në Shëndetësi, mbi 12 milionë euro vetëm në vitin 2021”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka qenë mjaft i zëshëm për tërheqjen e Trustit duke u bërë edhe iniciuesi i Projektligjit për tërheqjen e tij. Projektligj ky që dështoi të miratohej në Kuvendin e Kosovës.

“Duke folur për këtë Haxhiu tha se kush do që ka votuar kundër duhet të përgjigjet para qytetarëve sepse sipas tij këto para po humbasin në tregje ndërkombëtare. Pres që tani në këtë sesion një mbështetje të të gjithë deputetëve për kërkesën e qytetarëve për Trustin në këtë thellim enorm të krizës”, pohoi ai.

Intervista e plotë:

Gazeta Insajderi: Si e vlerësoni Qeverisjen e tanishme të Albin Kurtit, në çfarë drejtimi është duke shkuar Kosova?

-Ngecje e Kosovës në shumë drejtime, kthim prapa, përkeqësim i gjendjes socio-ekonomike të qytetarëve, përkeqësim të gjendjes në sektorin privat, përkeqësim në menaxhim të financave publike dhe krejt kjo ka quar në dëshpërim të qytetarëve dhe rritje të ikjes se qytetarëve nga Kosova.

 

Gazeta InsajderiKosova është duke u përballur më një inflacion, ngritje çmimesh, krizë energjetike dhe probleme të tjera, kë e konisderoni ju fajtor kryesor?

-Me vështirësi dhe kriza janë përballur çdo Qeveri jo vetëm tek ne por edhe në Botë, ka pasur në të kaluarën edhe kriza globale ekonomike, por aftësia e një Qeverie është të ndërmarr masa dhe veprime që zvoglojnë efektet e krizës dhe mbështesin qytetarët dhe bizneset për të përballuar krizën. Ka shtete që falë menaxhimit, planifikimit me kohë dhe parashikimit të duhur arrijnë të menaxhojnë me sukses krizat edhe të operojnë me bilanc pozitiv.

Për fat të keq ne kemi një Qeveri e cila ka dështuar në menaxhim të krizës energjetike, ekonomike dhe inflacionit duke qenë vetëm vëzhguese e situatës pa bërë asnjë veprim, duke mos marr asnjë masë qe kishte me zvogëluar efektet e krizës.

 

Gazeta InsajderiJu po ashtu keni qenë mjaft i zëshëm sa i përket tërheqjes se Trustit cilat janë pritshmëritë e juaja, a mund të ndryshoj diçka në këtë drejtim?

-Raportet e Trustit për 7 mujorin e parë të këtij viti ku përgjatë periudhës janar-korrik 2022 prezantohen 161. 6 milionë € humbje të kursimeve pensionale, dëshmojnë se qasja e Qeverisë Kurti kundër Trustit ishte e gabuar. Ata që votuan kundër Projektligjit për Trustin duhet të përgjigjen para qytetarëve për 161.6 milionë euro humbje të Trustit dhe ta përmirësojnë gabimin tani kur Projektligji për Trustin po rikthehet në Kuvend me mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Është shumë më e drejtë që t’iu mundësohet qytetarëve të tërheqin deri 30% të kursimeve të tyre në Trust, se sa parat e Trustit të humbin në tregjet ndërkombëtare. Pres që tani në këtë sesion një mbështetje të të gjithë deputetëve për kërkesën e qytetarëve për Trustin në këtë thellim enorm të krizës.

 

Gazeta InsajderiDuke qenë se ju jeni edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi shpesh herë edhe keni kritikuar Qeverisjen Kurti për gjendjen në shëndetësi, në mes të ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Vitisë dhe ministrit të tanishëm Latifi kë ju do të zgjidhnit?

-Për fat të keq të qytetarëve gjendja në shëndetësi tonë është përkeqësuar edhe më shumë.

Listat e pritjes së pacientëve janë rritur, mungesa në furnizim me barna është rritur, ndërsa çdo ditë kemi ikje të personelit shëndetësorë nga sektori publik në atë privat dhe jashtë Kosovës me çka po rrezikohet seriozisht funksionimi i sektorit publik. Politizimi i shëndetësisë, klientelizmi, nepotizmi dhe  korrupsioni karakterizon Ministrin e Shëndetësisë  dhe raporti i Auditimit për vitin 2021 nuk bënë dallim mes këtij apo atij ministri,  por prezanton keqperdorimet enorme në shëndetësi mbi 12 milion euro vetëm në vitin 2021.

Sipas raportit të auditorit për ShSKUK në vitin 2021: Në 61 raste në vlerë 7 milion e 864 mijë€,mungonte raporti i pranimit të mallit që do të duhej të përgatitej nga menaxherët e kontratave.

Në 17 raste në vlerë 1 milion e 759 mijë€, urdhër blerjet ishin proceduar pas pranimit të mallit dhe faturës. Këto abuzime kanë ndodhur në furnizime mjekësore, furnizim me ushqim, sigurimin e automjeteve, karburant për vetura, furnizim me pastrim, sigurim fizik të objekteve etj. Në 12 raste me vlerë 2,448,184€, faturat nuk ishin paguar brenda afatit ligjor. Po besoj tanimë e keni të njohur pse kanë ndodhur vonesat në pagesa brenda afatit ligjor, vetëm për hajni, bërja “pazar” në stilin tanimë të njohur të kësaj Qeverie, 20 mijë tani 10 mijë më vonë.

Hajni e keqpërdorim deri edhe në procedurat e prokurimit për transport të kufomave për “Shërbime funerali Covid -19”.

Gazeta InsajderiPër tu kthyer të ngjarjet e fundit në vend, ku një 11 vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht nga pesë persona, ju menjherë pas kësaj keni kërkuar që të kthehet denimi me vdekje, a e shihni këtë si zgjidhje?

-Është shqetësuese rritja e këtyre rasteve, kërkesa ime ka pasuar pas rastit makabër të 11 vjeçarës, kthimin e denimit me vdekje e shoh si masë jo vetëm ndëshkuese, por edhe parandaluese ndaj këtyre rasteve dhe rasteve të tjeta të rënda kriminale.

 

Gazeta InsajderiGjithashtu, si e shihni ju grevën në arsim?

-Është papërgjegjësi institucionale e Qeverisë Kurti  e cila tani e më shumë se një vit është duke injoruar kërkesat e mësimdhënsve dhe sot nuk është duke bërë asgjë për zgjidhjen e kërkesave të tyre, respektivisht për fillim normal të vitit shkollor. Dy javë grevë, një javë humbje mësimi dhe asnjë takim i  Qeverisë, përgjegjësve institucional për të diskutuar e zgjidhur kërkesat e mësimdhënsve. Mungon dialogu social me mësimdhënësit dhe sindikatat derisa Qeveria është e gatshme që pa asnjë kusht të dialogojë me Serbinë e Vuqiqin, kjo nuk don koment!

Çfarë pune me të rëndësishme ka Qeveria e Albin Kurti sot se sa të zgjidh problemin e grevës?! Qeveria Kurti duhet ta kuptojë se në qeverisje është për të menaxhuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve e jo për të shafqur kapriciot dhe egot personale. Greva sot është problemi më i madh në Kosovë.

Paaftësisa e Qeverisë për të dialoguar me mësimdhënësit po i lë pa mësim nxënësit. Paaftësia e Qeverisë për të dialoguar me mësimdhënësit po shkakton dëshpërim dhe pasiguri të nxënësit. Qeveri Kurti  diskuton e angazhohet si ta thyejnë grevën e jo si të zgjidhin kërkesat e mësimdhënsve.

Kërcënojnë dhe shantazhojnë kryetarët e komunave, mësimdhënesit dhe qytetarët për ta thyer Grevën e nuk gjejnë kohë të takohen me Sindikatat për t’i zgjidhur kërkesat e tyre. Kjo është papërgjegjësi dhe paaftësi instituacionale e Qeverisë Kurti.