Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ndër prioritetet e para të qeverisë në fushën e drejtësisë, është rishikimi i procesit të funksionimit të ligjit dhe vettingu , luftimi i krimit dhe korrupsionit si dhe adresimi i krimeve të luftës.
Ajo tha se përmes vettingut synojnë kthimin e besimit të qytetarëve në sistrmin e drejtësisë.
Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime dhe Juridike (GLPS), me temë: “Sundimi i ligjit në Kosovë, prioritetet e qeverisë së re”, Haxhiu tha se dokumenti për vettingun që kanë punuar përmban ndryshime kushtetuese.
“Qeveria jonë aktualisht përballet me shumë sfida, por që me vullnet do punojmë në këto sfida dhe kjo mund të bëhet me të gjithë bashkërisht. Disa nga prioritetet e qeverisë tonë, është rishikimi i tejzgjatur i funksionimit të ligjit, proces që ka nisur para tre viteve dhe është në prag finalizimi, edhe pse nuk ka qenë proces i nisur nga qeveria jonë, ne do ta shtyjmë përpara sepse ka rëndësi te madhe. Si prioritet i dytë, është procesi i vetingut në ministrinë tonë, ku kemi punuar me një dokument dhe ai dokument që përmban ndryshime kushtetuese. Qëllimi kryesor i joni është që të premten ne synojmë që me këtë proces të vetingut ta kthejmë besimin në sistemin e drejtësisë”, theksoi ajo.
Ajo përmendi luftën kundër krimit të organziaur dhe korrupsionit si proces tjetër të rëndësishëm.
“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, është çështje tjetër duke përfshirë këtu krijimin e koncept dokumentit tonë që kemi bërë gjatë qeverisjes tonë, dhe me pak ndryshime po ai dokument është vënë në votim dhe kemi tashmë këtë koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë te pajustifikueshme, që është dokument shumë i mirë.”, deklaroi ajo.
Ndër prioritetet tjera sipas Haxhiut është edhe adresimi i krimeve të luftës, që është një çështje shumë e rëndësishme për ministrinë tonë.
Ndërsa, gazetari Besnik Krasniqi tha që pret ndryshime në sistemin e drejtësisë.
“Rroftë ndryshimi, e them jo në këndvështrim politik, por ndryshimet që presim në sistemin e drejtësisë, pasi dihet pushteti i sistemit gjyqësor kapet me te dobëtin, por jo aty ku duhet”, tha ai.
Sipas tij, Institucionet e Kosovës deri sot nuk kanë krijuar një databazë ku mund të jenë të dokumentuara vrasjet, dëmet e dokumentimit te asaj se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
“Institucionet e Kosovës deri sot nuk kanë krijuar një databazë zyrtare ku mund t’i kemi të dokumentuara se sa vrasje kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë e asgjë”, u shpreh ai.
\RTV-Okarina\