Haradinaj: VV-ja vodhi shpresën e qytetarëve, kjo është më tragjike se korrupsioni e nepotizmi

 

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje e pati mundësinë që gjatë sesionit pranveror në Kuvendin e Kosovës, të nxjerr ligje në dobi të qytetarëve, zhvillimit ekonomik të vendit, e shumë çështje të tjera me rëndësi.

Mirëpo sipas Haradinaj, ky sesion pranveror do mbahet mend për tri gjëra, aktin e parë anti-amerikan në historinë parlamentare të Kosovës, shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura dhe emërimi i familjarëve dhe të afërmve si dhe për vetëm 4 ligje të miratuara nga 193 të paraparë, edhepse Kuvendi kishte shumicë stabile.

 

 

“Përfundoi sesioni pranveror i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Partia në pushtet, LVV, i kishte të gjitha mundësitë, që përmes Kuvendit të nxjerr ligje në dobi të qytetarëve, zhvillimit ekonomik të vendit, e shumë çështje të tjera me rëndësi.

Por, ky sesion parlamentar, do të mbahet mend më së shumti për tri gjëra:

1. Mosmiratimin e rezolutës në mbështetje të Marrëveshjes së Uashingtonit, që është edhe akti i parë anti-amerikan në historinë parlamentare të Kosovës.

2. Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura dhe emërimi në to i familjarëve dhe të afërmve të ministrave dhe deputetëve, si dhe eksponentëve të lidhur me partinë në pushtet.

 

 

3. Nga 193 ligje të parapara me agjendën e qeverisë, vetëm 4 janë miratuar nga Kuvendi me shumicë stabile. Kjo sepse të njëjtit u shpërqendruan me rahatime të familjarëve, duke lënë anash detyrën për të cilën ekskluzivisht janë zgjedhur nga qytetari i Kosovës.

Korrupsioni dhe nepotizmi janë kancer i një shoqërie, por kur vidhet shpresa e qytetarit, është edhe më tragjike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

 

\RTV-Okarina\