Haradinaj teksa kujton 22-vjetorin e tragjedisë së Mitrovicës: Kriminelët të marrin dënimin e merituar

 

Përmes një postimi në llogarinë “facebook”, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar tragjedinë që ndodhi 22 vjet më parë në Mitrovicë, tragjedi në të cilën forcat serbe kishin ekzekutuar mbi 30 shqiptarë.

Ai ka thënë se drejtësia duhet të vihet në vend dhe kriminelët të marrin dënimin e duhur.

”Kujtojmë me dhembje tragjedinë që ndodhi në Mitrovicë, njëzetedy vite më parë. Kujtojmë martirizimin e motrave e vëllezërve tonë, që jetën ia falën Atdheut, të cilit çdo ditë e më shumë i afrohej liria. Është obligim i yni që të këmbëngulim për drejtësi. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

 

 

”Bota demokratike duhet të bashkohet në kërkesat tona për ndriçimin e të gjitha masakrave dhe për kthimin e të pagjeturve. Bashkëndjejmë me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Ishim me ta, jemi sot e përgjithmonë”, shtoi Haradinaj.

Kujtojmë se pas masakrës në tregun e Mitrovicës në mars 1999, me 14 prill ndodhi tragjedia e radhës ne lagjen e Kovaçëve dhe Qendër, ku mbi 30 qytetarë u ekzekutuan mizorisht.

/RTV-Okarina/