Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka bërë të ditur se i është ndaluar hyrja në Kosovë zyrtarit serb, Petar Petkoviq.
“Pas interesimit të medieve, njoftoj opinionin publik se edhe sonte MPJD ka refuzuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq (i ashtuquajtur ‘drejtor në zyrë për Kosovën’) për vizitë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Kjo sipas saj ka ndodhur pasi që Serbia po vazhdon të sillet në mënyrë destruktive.
“Duke vazhduar shkeljet e maltretimet me arrestime arbitrare e mbajtje ilegale të qytetarëve të Kosovës (i fundit javën e kaluar!); Duke përdorur rrugë të paligjshme dhe klandestine për të futur ‘vaksina’ të dyshimta në Kosovë me qëllim rrezikimin e sigurisë shtetërore dhe shëndetit publik;
Duke tentuar rikthimin e fushatës kundër shtetësisë së Kosovës – së fundmi duke i kërkuar Katarit që ‘të mos lobojë për Kosovën’ duke shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjet e Uashingtonit e të Brukselit; Duke rritur provokimet, kërcënimet, sjelljet e ulëta, dhe lojërat e ndyra që po sjellin pasiguri dhe destabilizim në rajon e më gjerë! Andaj, le të qëndrojnë larg Kosovës”, ka thënë Haradinaj-Stublla.