Haradinaj: Populli po merr goditjet e para nga retorikat boshe të qeverisë “Kurti”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se “Qeveria Kurti” gaboi strategjikisht për anulimin e projektit Kosova e Re i nënshkruar me kompaninë Amerikane.

Sipas tij, Kosova është në duar të mafias energjetike.

“Kosova në duar të mafias energjetike. As unë nuk e kam besuar që për një kohë aq të shkurtër të vinte në pah gabimi strategjik i Qeverisë Kurti për anulimin e projektit Kosova e Re në Maj të 2020 i nënshkruar me kompaninë Amerikane Contour Global”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Haradinaj thotë se është pikëpyetje e madhe se a do të ketë Kosova mjete të bleje energjinë tash me çmime astronomike.

“Nuk kam Informacione si është në dhjetor, por e qartë që në momentin e parë që ashpërsohet moti, një Zot e di sa do të jetë çmimi dhe është pikëpyetje e madhe se a do të ketë Kosova mjete që të blejë energji me çmime astronomike. KEDS dhe KESCO nuk kanë se si të i shpëtojnë kolapsit nëse trendet aktuale vazhdojnë”, tha ai.

 

Postimi i plotë:

Kosova në duar të mafias energjetike

As unë nuk e kam besuar që për një kohë aq të shkurtër të vinte në pah gabimi strategjik i Qeverisë Kurti për anulimin e projektit Kosova e Re në Maj të 2020 i nënshkruar me kompaninë Amerikane Contour Global.

Kur ne kemi nënshkruar marrëveshjen në vitin 2017 për investim prej 1.3 miliardë euro, ne kemi qenë të vetëdijshëm se thëngjilli nuk është e ardhmja e energjisë por, Kosova nuk ka pas alternativë të shpejtë që ruan qytetarin, garanton zhvillim ekonomik dhe ruan pavarësinë energjetike të Kosovës. Ne nuk ishim vend aq i zhvilluar që me lehtësi dhe pavarësisht kostos së lartë, kalon në energji alternative.

Me 500MW që do të prodhoheshin dhe me 10.000 vende të reja të punës që do të krijoheshin, ne kemi besuar se dëmet në ambient do të ishin të pranueshme, në raport me përfitimet që do të kishte Kosova.

Jam fyer dhe jam linquar për atë se çmimi i energjisë i garantuar prej 80€ MW është tejet i lartë dhe se ky çmim do të shkatërrojë ekonominë e Kosovës e lloj lloj sharjesh tjera. Të kota ishin sqarimet tona se të gjitha parashikimet ishin se çmimet e energjisë së vitit 2017 ishin të paqëndrueshme.

Kam qenë i bindur se shpesh këto fushata kanë qenë të orkestruara dhe financuara nga mafia energjetike e cila meqenëse veq kishte gjetur strehë tek lëvizja Vetëvendosje me ndërtimin e kapaciteteve të reja do të humbiste një treg të madh siç është tregu i Kosovës.

Sot zyrtarët e KEDS dhe KOST në raportet e tyre thonë se:

“KEDS dhe KESCO gjatë tetorit të këtij viti, pra, për një muaj, përkundër motit të mirë, ka importuar 9,15 milionë euro energji elektrike me çmim mesatar prej €242 megavat/orë kurse gati dyfishi i vlerës së tetorit është importuar me çmim prej €340 me 24 Nëntor. Kërkesa është rritë me 200MW në krahasim me vitin e kaluar”.

Nuk kam Informacione si është në dhjetor, por e qartë që në momentin e parë që ashpërsohet moti, një Zot e di sa do të jetë çmimi dhe është pikëpyetje e madhe se a do të ketë Kosova mjete që të blejë energji me çmime astronomike. KEDS dhe KESCO nuk kanë se si të i shpëtojnë kolapsit nëse trendet aktuale vazhdojnë.

Popullizmi dhe retorika boshe e Qeverisë Kurti po shihet se i ka filluar goditjet e para për popullin e Kosovës dhe dëmet e vendimeve të gabuara strategjike për kohë të gjatë do të i paguajë qytetari i Kosovës.

Fatkeqësisht edhe refuzimi i gazsjellësit amerikan, së fundmi, do të sjellë pasoja të paparashikueshme për pozitën energjetike të Kosovës dhe jo vetëm.

Me të drejtë shtrohet pyetja: Kush janë këta njerëz që rrezikojnë stabilitetin e çmimeve dhe pavarësinë energjetike të Kosovës?!

RH