HANDIKOS: Ahmeti të sqaroj pse personave me aftësi të kufizuara nuk iu dhanë deri tash 80 eurot e premtuara

Shpend Ahmeti, Kryetari i Komunës së Prishtinës,  u kishte premtuar personave me aftësi të kufizuar se në fundvit do të subvencionoheshin me nga 80 euro, si mbështetje ndaj situatës me pandeminë COVID-19 në Kosovë.

Për këtë kanë reaguar nga HANDIKOS, ku përmes një njoftimi për media kanë kërkuar sqarim prej komunës së Prishtinës se pse nuk iu dhanë deri tash 80 eurot e premtuara personave me aftësi të kufizuar.

Sipas njoftimit, HANDIKOS sot ka bërë një kërkesë publike ndaj komunës së Prishtinës rreth njoftimit që e kishin bërë në muajin nëntor të vitit të kaluar për subvencionim me nga 80 euro të personave me aftësi të kufizuara që jetojnë në Prishtinë.

“Më datë 24 nëntor 2020, kryetari i komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti përmes një statusi në profilin  e tij në Facebook pati njoftuar se personat me aftësi të kufizuara që jetojnë në Prishtinë, në fundvit do të subvencionoheshin me nga 80 euro, si mbështetje ndaj situatës me pandeminë COVID-19 në Kosovë. Mirëpo nga kontaktet e vazhdueshme me personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre, banorë të Prishtinës, ata në HANDIKOS kanë paraqitur shqetësimet e tyre se deri me tani asnjë prej tyre nuk kanë përfituar nga shuma përmendur, gjë për të cilën kemi kërkuar sqarime nga Drejtoria e  Mirëqenies Sociale, por që nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje të qartë. Andaj, HANDIKOS bën kërkesë publike ndaj komunës së Prishtinës dhe kryetarit Ahmeti që të dalin me një sqarim lidhur me premtimin e bërë para dy muajve, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të informohen nëse nëse procesi është anuluar apo do të përfundojë së shpejti”, thuhet në njoftim.