Gucati: Nuk kam thënë se dëshmitarët që kanë qenë kundër UÇK-së janë vrarë

 

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK, me dëshminë e Hysni Gucatit.

Ai po përgjigjet në pyetjet e prokurores Valeria Bolici, e cila po vazhdon të ngrejë çështjet që lidhen me gjykimet e kaluara të ish-pjesëtarëve të UÇK dhe sipas saj frikësimin e dëshmitarëve në të kaluarën në Kosovë.

Lidhur me këto i akuzuari Hysni Gucati ka thënë se nuk ka njohuri.

Prokurorja i ka prezantuar Gucatit dokumente që lidhen me gjykime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së por të njëjtat nuk janë bërë publike dhe nuk është lejuar që të përmenden emra.

“Këtë dokument që ma ke qit përpara po më vjen shumë keq, unë dje të tregova po mi përkujton vitet e mia pas luftës, vitet më të vështira të jetës sime që kam pasur. Ky vit 2006, korrik 2005, nëntor 2008, vitet më të vështira kanë qenë në jetën time. Problemin që e kam pasur me vajzën që më ka vdek periudha e 2006-ës, shëndeti im, që ka qenë në pyetje jeta ime. Kështu që me këto vendime e di që ka pasur gjykime ndaj pjesëtarëve të UÇK-së por çfarë vendime janë marrë nuk e di se kam qenë me probleme të mija që thash. Kështu që më vjen shumë keq që mi përkujton këto vite ti mua por nuk është problem, të jetë në ndërgjegjen tuaj”, ka thënë ai.

Prokurorja Bolici ka paraqitur disa shkrime të Gucatit në faqen e tij të ‘facebook’ dhe intervista të cilat i ka dhënë më herët në mediat në Kosovë, që sipas saj lidhen me dëshmitarët.

“Ata të cilët protestonin në Kosovë në vitin ‘99 kur NATO bombardonte caqet serbe për t’i shpëtuar shqiptarët, ata janë armiq të vendit tim dhe kombit tim”, ka thënë ai.

Ndërsa prokurorja e ka pyetur nëse deklarimet e tij të mëparshme nënkuptojnë që të gjithë dëshmitarët kundër ish-pjesëtarëve të UÇK janë bashkëpunëtorë të serbëve, Gucati ka mohuar të ketë thënë diçka të tillë.

“Po thoni që të gjithë dëshmitarët që kanë dëshmuar kundër anëtarëve të UÇK-së janë bashkëpunëtorë të serbëve”, ka thënë prokurorja Bolici.

Kur prokurorja e ka pyetur nëse ka dëshmitarë të vrarë pasi të njëjtit kanë dëshmuar kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Gucati ka kërkuar që fjalët e tij mos të nxjerrën nga konteksti por shkrimet e mëhershëm të lexohen të plota.

“Ku kam përmend që të gjithë shqiptarët janë kundër. Ma gjeni një fakt apo një argument që unë pasna thënë të gjithë, ku dy milionë shqiptarë jetojmë ne në Kosovë apo serb, rom, turq, e të gjithë. Nuk është e vërtetë, nuk është në jetën time kjo… Mos nxjerrni fjalë nga konteksti, çfarë juve ju duhen. Lexoni komplet, nëse doni atëherë ju kisha lutë gjyqtarë të nderuar të lexohet teksti deri në fund. Nuk është e vërtetë që kam thënë unë që dëshmitarët që kanë qenë kundër UÇK-së janë vra. Unë i bëj thirrje personit në fjalë nëse di një rast të jetë burrë mos të ketë frikë të dëshmojë, ”, ka thënë ai.

Gucati ka thënë se çdo vrasje që ka ndodhur duhet të zbulohet, por sipas tij diçka e tillë nuk duhet të bëhet me padrejtësi dhe shantazhe.

Kjo është dita e tretë me radhë që Gucati flet nga banka e dëshmitarit, pas më shumë se një vit qëndrimi në paraburgim në Hagë.

Ai dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

 

\RTV-Okarina\