Specialja ka vendosur t’ua vazhdojë masën e paraburgimit udhëheqësve të OVL e UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka kërkuar nga palët që deri më 1 shkurt të dërgojnë parashtresat e tyre për lirim me kusht.
Gjyqtari Guillou e ka konsideruar si të nevojshëm vazhdimin e paraburgimit për të dy udhëheqësit e organizatës së veteranëve, shkruan Telegrafi.
“Gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se ndalimi i z. Gucati është e nevojshme dhe proporcionale në rrethanat aktuale”, thuhet në vendim.
Mbrojtja e Gucatit kishte propozuar kushtet si në vijim:
Kushti 1: Gucati të mos hyjë në Prishtinë.
Kushti 2: Ta ketë vetëm një pajisje elektronike për komunikim, në detajet e së cilës do të ketë akses Prokuroria e Specializuar.
Kushti 3: Gucati të jetojë jashtë Kosovës. Të banojë dhe flejë çdo natë në shtëpinë e caktuar në(adresa e redaktuar) shtet i palës së tretë. Kjo shtëpi i përket një të afërmi të tij, dhe në të njëjtën jetojnë edhe familjarët.
Ndërkaq avokati i Nasim Haradinajt kishte propozuar këto kushte:
Kushti 1: Dorëzimi i Pasaportës dhe ndalimi për ta lëshuar Kosovën, përveç paraqitjeve të caktuara në Gjykatë.
Kushti 2: Të banojë në adresën e tij permanente, dhe të mos kërkojë ndryshimin e saj.
Kushti 3: Çdo pajisje e përdorur për komunikim, të jetë e lidhur dhe regjistruar me Prokurorinë e Specializuar.
Kushti 4: Të raportojë në një stacion lokal policor në frekuenca të përcaktuara.
Kushti 5: Të përmbahet nga kontakti me bashkë-të akuzuarin (Hysni Gucatin).
Kushti 6: Marrja përsipër që ai mos të komunikojë me mediat, të kërkojë të publikojë informacione rreth tij apo ndonjë çështje tjetër që aktualisht është subjekt i gjykatës.
Të gjitha këto kushte të propozuara nga mbrojtja janë hedhur poshtë nga gjykatësi Guillou, pasi i njëjti vendosi që masa e paraburgimit t’u vazhdohet Gucatit e Haradinajt. Vendimi për zgjatjen e paraburgimit është marrë më 24 dhjetor 2020, por është bërë publik ditëve të fundit.
/RTV-OKARINA/