Gjykata Speciale kërkon nga Policia e Kosovës nëse mund të sigurojnë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së

 

Dhomat e Specializuara në Hagë, kanë lëshuar një urdhër për Policinë e Kosovës për t’u përgjigjur në detaje nëse ata mund të sigurojnë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou e ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të japë informacione të detajuara lidhur me aftësinë e saj për ta garantuar sigurinë e mjaftueshme në rast të lirimit me kusht të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Policia e Kosovës sipas urdhrit të lëshuar me 8 tetor Guillou kanë dy javë kohë, prej kësaj date, që të përgjigjen për kërkesën e Dhomave të Specializuara për Kosovën.

“Duke pasur parasysh kushtet e propozuara nga të akuzuarit në lidhje me kërkesat e tyre për lirim të përkohshëm dhe pa paragjykuar çdo vendim që do të merret nga gjyqtari i procedurës paraprake në lidhje me vendimet e kthyera nga Gjykata e Apelit, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëron Policinë e Kosovës, siç specifikohet më tej në Shtojcën e këtij Urdhri, të sigurojë informacion”, thuhet në urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake.

 

 

Në kumtesën e lëshuar nga Dhomat e Specializuara thuhet se informacioni nga gjyqtari paraprak është kërkuar në lidhje me: (i) autoritetin dhe aftësinë e Policisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjet e individëve që i nënshtrohen lirimit me kusht, të monitorojë dhe kufizojë komunikimin e këtyre individëve, të administrojë arrestin shtëpiak dhe zbatueshmërinë e kushteve që lidhen me lirimin e përkohshëm; dhe (ii) rastet e mëparshme të zbatimit të kushteve që lidhen me lirimin e përkohshëm ose ndalimin e personave të akuzuar për krime të rënda.

Aktakuza ndaj ish-presidentit të vendit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarit Kadri Veselit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020 teksa në nëntor u patën dërguar në mbajtje.

 

\RTV-Okarina