Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në takim, delegacionin e ushtarakëve-kapelanë të Gardës Kombëtare të Iowa-s të kryesuar nga Major Jeremy Taylor.
Me këtë rast, Gjeneral Jashari, delegacionit nga Iowa u shrehu mirënjohjen e lartë për gjithë mbështetjen e deritashme në të gjitha fushat e zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së.
Ai gjithashtu, ndër të tjera, theksoi edhe objektivin e tij për zhvillimin e komponentës së Kapelanisë së FSK-së duke vlerësuar lart edhe mbështetjen e Kapelanisë së Gardës Kombëtare të Iowa-s në këtë aspekt.
Gjithashtu, ai njoftoi se përgatitja e udhëzuesit për çështjen përkatëse është në proces të finalizimit dhe do të jetë në bazë të parimeve doktrinore të FSK-së, si dhe rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Në fund, ishte vlerësim i përbashkët se, përgatitja shpirtërore e ushtarakëve të FSK-së, krahas përgatitjes psiko-fizike dhe specialistike, është shumë e rëndësishme për përmbushjen e suksesshme të detyrave dhe misionit.