Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gervalla ka thënë se shkarkimi i ambasadorëve të emëruar politikisht është vetëm një hap drejt reformave që do të bëjnë në shërbimin diplomatik.
Gërvalla në një konferencë për media, deklaroi se presidentja Vjosa Osmani, ka miratuar dekretet për lirimin e ambasadorëve politikë gjatë ditës së djeshme.
‘Ministria Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka propozuar presidentes të miratojë dekretet për lirim nga detyra të gjithë ambasadorët të emëruar politikisht. Presidentja Osmani dje ka nxjerrë dekretet duke vepruar në përputhje me propozimin. Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikisht është bërë në frymën e programit qeverisës të miratuar, ku parasheh reformimin e shërbimit diplomatikë të Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.
Gërvalla tha se do të vazhdojnë edhe me vendime tjera sa i përket shërbimit diplomatik, teksa bëri të ditur se përzgjedhje e ambasadorëve të rinj do të bëhet javëve në vazhdim.
“Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, si dhe do të vazhdojë reforma. Reforma është e vonuar, kjo po përgatitet në mënyrë serioze”, deklaroi ajo.
Ministrja falënderoi të gjithë ambasadorët politikë për punën qe kanë bërë.
Emrat e 12 ambasadorëve që kanë qenë të emëruar politikisht, e që u liruan nga detyra:
- Beqë Cufaj – Gjermani
- Nait Hasani – Shqipëri
- Arbër Vllahiu – Çeki
- Lirim Grejqevci – Holandë
- Shpend Kallaba – Hungari
- Gezim Kasapolli – Kroaci
- Avni Kastrati – Slloveni
- Gjergj Dedaj – Maqedonia e Veriut
- Hajdin Abazi – Australi
- Ylber Hysa – Mali i Zi
- Avni Arifi – Emiratet e Bashkuara Arabe
- Amir Ahmeti – Katar