F.Bytyqi/RTKLive
Fotografitë në terren sportive jo rrallëherë pasqyrojnë dhe sjellin emocione të mëdha tek adhuruesit e gjitha sporteve.
Janë pikërisht fotoreporterët ata që të fundin dalin nga arenat e ‘nxehta’ sportive.
Në botën e sotme mediatike, fotoreporterët po bëjnë punë jashtëzakonisht të madhe dhe profesionale.
Hilli Veliu, një fotoreporterë profesionist, i cili një jetë ja kushtojë kësaj zeje, në emisionin ‘Sport Elite’ të gazetares Qëndresa Krelani, është rrëfyer sesi u ‘dashurua’ qysh si fëmijë në punën e fotoreporterit.
“Me të vërtetë nuk është e lehtë. Isha në shkollën fillore, kur kishte aparate me ngjyrat bardhë e zi. Një gazetë e shkruar ka qenë Rilindja, ku ishte në fund ai fjalëkryqi. E mbusha dhe pastaj më njoftuan se kam fituar. Aty më lajmëruan se kam fituar një foto-aparat. Më kujtohet si sot, shkova në katin e gjashtë apo shtatë të Rilindjes, aty ma dhuruan aparatin që kisha fituar, nga aty mora motivimin dhe forcën që të jem një fotoreporter. Pra, fillova nga ai aparat”, ka thënë Veliu.
Ai ka folur edhe për fotografinë famshme të kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmanit.
“Fotografia e famshme e Rrahmanit? Ka qenë në vitin 2011, atëherë profesori Bylbyl Sokoli bëri një kontratë me KF Drenicën. Temperaturat kanë qenë të ulëta, më duket se ka qenë ndër vitet më të ftohta. Amir Rrahmani ka ardhur në vitin 2011, ne e kemi cek, Amiri kur ka ardhur nuk ka ardhur me pretendime me fitu, sepse s’ka pas probleme financiare. Familja e tij ka qëndruar lartë në aspektin financiar. Amiri ka ardhur për atë rrogë, dikush thotë që është qesharake, e ka pas një pagë 150 euro. Ai s’ka ardhur për pagë, por të ngritët në nivelet e larta dhe këtë ia doli”, ka theksuar Veliu, i cili gjithnjë është në përkrahje të ‘Dardanëve’ pavarësisht se ku luan Kombëtarja e Kosovës.
Mërgim Murtezaj: Dashuria e madhe për Kombëtaren më motivojë për fotografi sa më të mira
Punën e fotoreporterit më pasion të madh e bën edhe Mërgim Murtezaj, dikur futbollist. Sipas tij, dashuria e madhe për Kombëtaren e Kosovës, ka ndikuar që fotografitë të dalin sa më të mira.
“Është sfidë e madhe sepse kushtet janë të vështira në fillim, që të sigurojmë aparat, objektivin dhe pjesët e tjera. Nga pasioni i madh që kam për futbollin, pastaj kam filluar edhe me fotografi. Sigurisht, dashuria e madhe për kombëtaren e ka bërë edhe rezultatin që fotografitë të dalin sa më të mira dhe motivuese. Mundohem t’i kap momentet sa më emocionuese, sepse fotografia mbetet gjithmonë dhe jep mesazh për tifozët”, ka thënë Murtezaj.
Ai thotë se ndeshja Kosovë-Angli, ishte sfida me emocionuese për të si fotograf.
“Ndeshja ndaj Anglisë? Pikërisht ka qenë momenti kur e kemi pritur Anglinë, ndeshja ma emocionuese për mua si fotograf. Ka pasur shumë atmosferë dhe shikues. Ka qenë më e përcjellura nga fotoreporterët, është sfiduese dhe njëkohësisht kënaqësi që me tentuar t’i kap momentet. Koha shpesh është e papërshtatshme, por mundohemi që t’i nxjerrim më të mirën. I falënderoj lojtarët sepse shpesh i shpërndajnë fotografitë e mia, sigurisht me leje dhe kuptim”, ka pohuar Murtezaj.
Veliu dhe Murtezaj shtojnë se do të “vazhdojnë me pasion punën e fotoreporterit në ngjarjet sportive me theks të veçantë në ndeshjet e Kombëtares së Kosovës”.