Filmat nga Kosova rrëmbejnë disa prej çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë

 

Filmat nga Kosova kanë rrëmbyer disa prej çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në Facebook.

“Sukseset e filmave kosovarë në festivalet më të mëdha ndërkombëtare të filmit po vazhdojnë. Kësaj radhe në Sarajevë tre filmat e vendit tonë,

“Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” ia kanë dalë të marrin disa prej çmimeve kryesore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas kësaj ministrie, aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani, që janë pjesë e filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramitm kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”.

 

Filmi “Në kërkim të Venerës”, nën regjinë e Norika Sefës, thuhet se ka fituar çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.

Ndërsa filmi i metrazhit të shkurtë “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës është shpërblyer me çmim special në këtë festival, çmim ky, sipas MKRS-së, është ndarë nga juria profesionale.

“Sukseset e tyre po na bëjnë krenarë të gjithëve, ndërsa po tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë. Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë”, ka shkruar tutje MKRS-ja në Facebook.

“Festivali i Filmit në Sarajevë vlerësohet si një prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë”, ka shtuar kjo ministri.

 

\RTV-Okarina\