Duket se kapiteni i Drenicës Shkëlzen Lushtaku është falur nga Federata e Futbollit e Kosovës për fyerjet raciste në publik ndaj një lojtari kundërshtar, megjithëse fyerjet e tilla janë të dënueshme ashpërsisht me Rregulloren Disiplinore të FFK-së.
Lushtaku u pa dhe u dëgjua në video duke iu vërsulur futbollistit të Gjilanit Elton Cale me fjalët “ta q*fsha maxhupin e nanës”, pas një dueli mes tyre në vijën anësore në barazimin mes Drenicës dhe Gjilanit në Bajram Aliu më 24 gusht.
Drenica e ndëshkoi Lushtakun me një gjobë prej 400 eurove, ndërsa kapiteni kërkoi falje më vonë për fyerjen racore ndaj futbollistit brazilian.
Por që prej atij incidenti para më shumë se dy javëve, Lushtaku është paraqitur në secilën prej tri ndeshjeve pasuese të Drenicës, që nënkupton se ai nuk është ndëshkuar nga federata.
Rregullorja Disiplinore e FFK-së në lidhje me racizmin, neni 62, thekson se një lojtar që publikosh fyen në baza racore dënohet me katër ndeshje moslojë dhe me gjobë.
“Çdo kush që publikisht ofendon ose diskriminon një tjetër mbi çështjet racore; ngjyrë lëkure, kombëtare, rajonale, fetare ose etnike, mosdurimi jotolerant, propaganda ideologjike, ekstremizmi i shprehur etj., dënohen: a) Lojtari me 4 ndeshje dhe dënim me të holla”, thekson nënti 62 i Rregullores Disiplinore të FFK-së.
Është e paqartë pse federata nuk ka hapur madje as procedurë disiplinore ndaj Lushtakut deri tani, pavarësisht se pamjet e incidentit janë shumë të qarta dhe lojtari e ka pranuar fajin duke kërkuar falje.
Që prej atëherë, Lushtaku ka luajtur titullar në fitoren e Drenicës kundër Malishevës më 27 gusht, në barazimin me Ferizajn më 4 shtator dhe në disfatën kundër Trepçës ’89 më 10 shtator.
Gjoba dhe kërkimfalja
Pasi Gjilani e dënoi ashpër veprimin e Lushtakut duke publikuar një video ku ai shihet duke e fyer Calen, Drenica reagoi duke e dënuar me gjobë prej 400 eurove kapitenin e vet.
Vetë kapiteni e pranoi gabimin dhe i kërkoi falje publikisht Cales.
“Me lejoni që me anë të kësaj deklarate publike të kërkoj falje për shprehjen e gabuar të përdorur në një moment nervozizmi sportiv ndaj lojtarit Cale. I kërkoj falje lojtarit, klubit të tij, dhe sigurisht kërkim falje për klubin tim KF Drenica, tifozët dhe gjithë komunitetin sportiv”, tha kapiteni i Drenicës Lushtaku në kërkimfaljen e tij në Facebook.
Në shkrimin e kërkimfaljes, Lushtaku e postoi një fotografi të veten të moçme, nga viti 2019, kur i kishte mbështetur bashkëlojtarin e vet të përballur me racizëm, Van-Dave Harmon, duke bërë thirrje të luftohej racizmi.
Ai nënvizoi: “Në asnjë formë s’mund të pranoj që një moment si ky edhe nëse mund të ketë tendencë përdorimi të qëllimshëm ndaj meje pasi duket si e orkestruar, pasi bëhet një javë më vonë nga situate që paraqitet tani. Gjithsesi kjo se arsyeton shprehjën time prandaj ju lutem pranoni kërkim faljen si të tillë pasi kushdo nga sportistët që më njeh e di shumë mirë raportin tim dhe respektin që unë kam për çdo futbollist pavarësisht kombësisë, races apo edhe fesë ,pasi kto janë vlerat reale në të cilat unë jam rritur dhe besoj, dhe një fjalë e papërshtatshme nuk duhet të luhat besimin tuaj tek unë.”