Janë prezantuar sot modelet e izolimit dhe fasadimit të objekteve banesore (11 sosh) përgjatë Sheshit “Adem Jashari” në qytetin e Skenderajt, në prani të banorëve rezidentë, në një takim i ftuar nga kryetari i Komunës, Fadil Nura.
Si qëllim për të diskutuar modalitetet bashkërisht me banorët, dhe në mënyrë të përbashkët për t’u marrë vendimi, kryetari Nura ka thënë se këto modele të prezantuara janë bashkëkohore, ku në përfundim të punimeve, do të transformohet pamja e jashtme e ndërtesave, që aktualisht kanë gjendje jo të mirë.
Ai ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve gjatë fillimit të punimeve, në mënyrë që të mos paraqiten pengesa nga ana e banorëve, pasi qëllimi i projektit është unifikimi i pamjes së jashtme të objekteve.
Megjithëkëtë, banorët u zotuan se do të jenë bashkëpunues kur punimet të fillojnë, duke e vlerësuar angazhimin e Komunës, për investim në këtë projekt.
Nga dy modelet e paraqitura nga kompania projektuese, banorët janë pajtuar për modelin e parë të fasadimit.
Ndërkaq, kryetari Nura, ka thënë se punimet do të nisin në kohën më të përshtatshme të mundshme, kurse në përfundim të tyre, pamja e objekteve do të jetë bashkëkohore.