Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë është dorëzuar një kallëzim penal kundër ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës.
Fadil Kodra, i cili u shkarkua nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), e akuzon Sveçlën për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Gazeta Express e ka siguruar kallëzimin penal.
Përmes avokatit të tij, Faton Fetahu, Kodra në kallëzimin penal që mban datën 22 korrik 2022, e akuzon Sveçlën se ia cenoi të drejtat duke e hequr krejt nga pozita e zyrtarit publik.
“Personi i kallezuar, në cilësi të personit zyrtar, përkatesisht si titullar i institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundershtim me autorizimet e tij ligjore dhe legjislacionin në fuqi, ka nxjerrë Vendimin nr. 0529/2022, të datës 14.07.2022, permes të cilit, ka shfuqizuar Vendimin nr. 107/2015, të datës 13.03.2015, edhe pse në rrethanat e rastit konkret, vendimi i shfuqizuar nuk është prej vitesh në fuqi, pasi qe i njëjti është shfuqizuar ipso-jure (automatikisht) me rastin e emerimit të z. Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshem të AME-se, me Vendimin nr. 02/25 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 28.01.2018”, thuhet në kallëzimin penal.
“Nderkaq, me date 14.07.2022, Ministri z. Svecla ka nxjerrë Vendimin nr. 0530/2022, përmes të cilit, ka caktuar Zëvendës Drejtorin e Përgjithshem të AME-së, z. Shefki Abdullahu, në pozitën e Drejtorit të Përgjithshem të AME-së, deri ne plotesimin e kesaj pozite sipas legjislacionit përkatës në fuqi, vendim i cili cënon në menyre direkte marrëdhenien e punës së z. Kodra, rrjedhimisht ndërpret marrëdhenien e punes së tij, si Drejtor i Përgjithshem i AME-së, nga njera anë, si dhe po ashtu si zyrtar publik, nga ana tjetër”, thuhet tutje në kallëzimin penal.