Erdogan rizgjidhet në krye të AK Parti, asnjë votë kundër

 

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, të mërkurën u rizgjodh unanimisht kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) për mandatin e shtatë.

Pasi u nominua për postin më të lartë të partisë nga zyrtarët e saj të lartë, Erdogan u rizgjodh kryetar për herë të shtatë gjatë Kongresit të Shtatë.

Nga 1 mijë e 431 fletëvotime, Erdoğan mori 1 mijë e 428 vota të vlefshme dhe kishte tre fletëvotime të pavlefshme, sipas Ali Ihsan Yavuz, nënkryetari i partisë.

 

 

“Dëshiroj nga Zoti që kongresi ynë të jetë i dobishëm për vendin, kombin dhe partinë tonë. Do të doja të falënderoj secilin nga ju që më vlerësuat të denjë për udhëheqjen e partisë edhe një herë”, tha ai para delegatëve.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka qenë në pushtet në Turqi që nga viti 2003, ndërsa gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe, kryetari Erdogan ka shërbyer si kryeministër ose president i vendit.

Në vitin 2019, kjo parti shënoi humbje të konsiderueshme në zgjedhjet lokale, duke humbur në qytetin më të madh, Stamboll, dhe në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.

/RTV-Okarina/