Enver Hoxhaj shprehet i bindur se vizat do të hiqen pas zgjedhjeve në Francë

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se sapo të përfundojnë zgjedhjet në Francë do të merret një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Jam mëse i sigurt se sapo të përfundojnë zgjedhjet në Francë do të ndodh një vendim pozitiv. Por Qeveria do të duhej të lëviz në qendrat kryesore të Bashkimit Evropian qoftë në Berlin, qoftë në Paris qoftë në Vjenë por edhe në Bruksel që të bisedojë për atë që kur do të kishte mundësi që një vendim të merret prej Komisionit Evropian meqë Parlamenti Evropian ka vendosur shumë më herët pozitivisht për Kosovën”, tha Hoxhaj.

Sipas tij, Qeveria në krye me Albin Kurtin ka hequr dorë nga politika e jashtme.

“Njohja ndërkombëtare e Kosovës duhet të jetë prioritet. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare duhet të jetë prioritet, vendosja e ambasadave duhet të jetë prioritet por qeveria ka hequr dorë nga politika e jashtme dhe ka hequr dorë për të lobuar për të rritur numrin e shteteve të cilat duhet ta njihnin Kosovën. Jam e sigurt që çdo qeveri e përgjegjshme do të mund t’ia siguronte Kosovës njohje të reja tani kur Serbia po izolohet ndërkombëtarisht”, tha ai për eo.