Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se një mashkull kosovar ka vdekur në Graçanicë pasi dyshohet të ketë rënë nga një lartësi e madhe derisa ishte duke punuar.
Sipas njoftimit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.
“Raportohet se viktima mashkull kosovar deri sa ishte duke punuar, dyshohet se ka rene nga një lartësi e madhe dhe si pasoj ka ndërruar jetë. Ne vendin e ngjarjes kane dal njësitet përkatëse ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim te prokurorit trupi i pa jete i viktimës dërgohet ne IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Dje një tjetër punëtor ka vdekur tragjikisht derisa po punonte në një objekt në fshatin Grabanicë të Klinës. Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Reporteri.net se rasti ka ndodhur në orët e mëngjesit.
I njëjti sipas Policisë ka rënë nga kati i tretë i ndërtesës ku po punonte.
Ditë më parë, po ashtu në mënyrë të ngjashme në Kosovë humbi jetën edhe një punëtor tjetër.
Sipas Inspektoratit të Punës në Kosovë, në vitin 2021, nëntë qytetarë kishin humbur jetën në vend të punës, 40 kanë marrë lëndime të rënda dhe 139 lëndime të lehta.
Në periudhën 2016-2020, ndërkaq, 74 qytetarë kanë vdekur në vend të punës, kurse 530 janë lënduar.