Një person është arrestuar gjatë ditës së sotme në Ferizaj, pasi që dyshohet se ka rrahur dhe ka mbajtur të mbyllur në shtëpi për tre ditë, të dashurën e tij 30 vjeçare.
Policia e Kosovës bën të ditur se paraditen e sotme ka marrur informatën për një rast të dhunës në familje në rrugën ‘Enver Topalli’ të Ferizajt.
Pasi kanë dalur në vendin e ngjarjes, Policia ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet A. Sh., i moshës 29 vjeçare, i cili dy ditë më parë për shkak të një mosmarrëveshje i kishte shkaktuar lëndime trupore të dashurës së tij me inicialet M. A., e moshës 30 vjeçare dhe e kishte mbajtur të mbyllur për tre ditë radhazi në dhomën e shtëpisë.
“Viktima M. A. kishte arritur t`i njoftojë fqinjët e saj dhe këta më pas kishin lajmëruar policinë”, thuhet në komunikatë.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa viktima është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Kujtojmë që një rast i ngjashëm i dhunës fizike, duke e mbyllur viktimën në shtëpi dhe rrahur deri në vdekje, është edhe ai i 18 vjeçares Marigona Osmani.
Prokuroria e Ferizajt tashmë ka ngritur aktakuzë ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të 18-vjeçares, Osmani.