Dy deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Milazim Salijaj dhe Fitore Pacolli kanë marrë një iniciativë të rëndësishme për shëndetin e fëmijëve.
Bëhet fjalë për ndalimin e konsumimit të pijeve energjike, për moshat nën 18 vjeç.
Është tepër shqetësuese kur sheh fëmijë 7-13 vjeçar që konsumojnë pije energjike. E është edhe më shqetësuese kur ata arrijnë të blejnë në sasi nga 1 deri në 2 litra. Para dy viteve u pata shokuar kur në një market disa djem 10-11 vjeçar po prisnin në radhë të paguanin pijet energjike me sasi 1 litërshe. Ata ishin në pushim të gjatë të shkollës. Në 2019 pata premtuar që do të marr iniciativë në Kuvend për të bërë ndryshimet ligjore rreth përdorimit të pijeve energjike tek personat nën moshën 18 vjeçare. Por, për shkak të kohëzgjatjes së shkurtër të asaj legjislature nuk kam arritur ta bëjë këtë.
Tani, bashkë me deputetin Milazim Salijaj kemi kërkuar nga Drejtoria për Hulumtime brenda Kuvendit një hulumtim se si është e rregulluar përdorimi i pijeve energjike në vendet e rajonit dhe në Evropë. Bashkë me Milazimin do të fillojmë propozimet për ndryshime ligjore të paraprira nga disa hulumtime të nevojshme, diskutime publike dhe fushatë për vetëdijësim në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe institucionet përkatëse.
Sipas hulumtimit, Kosova akoma nuk ka bazë ligjore që sanksionon përdorimin e pijeve energjike tek personat nën 18 vjeç.
Në Republikën e Shqipërisë përdorimi i pijeve energjike rregullohet me ligj. Njëjtë sikurse pijet alkoolike klasifikohen edhe pijet energjike dhe në Ligjin “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit” janë përfshirë edhe pijet energjike. Me Ligjin 74/2018 NDALOHET:
1. Shitja e pijeve energjike tek personat nën moshën 18 vjeç;
2. Publiciteti në median vizive;
3. Ofrimi i pijeve energjike të miturve nga personi madhor që e shoqëron atë në vende publike;
4. Shitja pa verifikim me dokument identifikues;
5. Përdorimi i tyre dhe reklamimi në institucione arsimore.
Maqedonia e Veriut, nuk ka akoma ndonjë ligj që rregullon përdorimin e pijeve energjike por me rekomandim të Komitetit të OKBës për të Drejtat e Fëmijëve, ka inicuar ndryshimin e ligjit për ndalimin e pijeve energjike për personat nën 18 vjeç dhe ka filluar kampanjën për vetëdijësimin e popullatës për pasojat e pijeve energjike.
Në Evropë pijet energjike nuk konsiderohen si pije alkoolike dhe se nuk ka ndonjë legjislacion specifik që aplikohet në të gjitha vendet anëtare të BE-së por përdorimi i pijeve energjike është rregulluar me legjislacion kombëtar në të gjitha vendet. Shumica e kanë të rregulluar me legjislacion specifik ku përcaktohen rregulla në etiketim, reklamim dhe në përmbajtjen e produktit.
Me Rregulloren e Informacionit të Ushqimit për Konsumatorët (BE) Nr. 1169/2011 prodhuesit obligohen që në etiketim të shtohet teksti “Përmbajtje e lartë e kafeinës. Nuk rekomandohet për fëmijë ose gratë shtatëzëna ose gji dhënëse” si dhe të deklarojnë saktë përmbajtjen e kafeinës. Ndërsa me Kodin e Praktikës për marketing dhe etiketimin e pijeve energjike prodhuesit udhëzohen për të mos reklamuar produketet tek fëmijët. Përveç këtyre janë edhe një varg rregulloresh që rregullojnë përdorimin e pijeve energjike.
Në Mbretërinë e Bashkuar aplikohet rregullorja e pêrmendur më lartë 1160/2011 ku përcaktohen rregullat që duhet të zbatohen dhe aplikohen në etiketim.
Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA, 2015) ka konfirmuar se sasia e kafeinës deri në 3 mg për kg të peshës trupore është e sigurt për fëmijë dhe adoleshentë (3-18 vjeç) dhe deri në 400 mg për të rritur.
Kodi Evropian për Pije Energjike rekomandon se pijet freskuese me përmbajtje të lartë kafeine (mbi 150 mg) nuk duhet të konsumohen e as nuk duhet të promovohen apo shiten tek personat nën moshën 16 vjeç.
Në Evropë pijet energjike nuk janë pije që konsumohen në baza ditore si dhe shitja e tyre bëhet në paketime të vogla.
\RTV-Okarina\