Ndeshja e parë ishte zhvilluar të enjten e kaluar në Belgjikë, e cila kishte përfunduar me rezultat të barabartë, 0-0, shkruan Gazeta Olle.
Ndonëse skuadra belge shihet si favorite për t’u kualifikuar në raundin e tretë, ekipi nga Gjilani do të mundohet të bëjë mrekullinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Bardhekaltrit pas vetes do ta kenë edhe tifozërinë e flaktë “Intelektualët”, të cilët kanë “blinduar” pjesën veriore të stadiumit, ku pritet të dhurojnë spektakël në tribuna.
Gazeta Olle gjatë mbrëmjes së fundit ka raportuar se mbi 9000 bileta janë shitur 24 orë para ndeshjes, ndërsa deri në mbrëmjen e sotme pritet që të shiten edhe biletat e mbetura dhe stadiumi të jetë i stërmbushur.
Drita asnjëherë nuk është mposhtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në paraqitjet ndërkombëtare, duke lënë të nënkuptohet se në shtëpi luan vetëm për fitore.
Skuadra e Ardian Nuhiut në katër ndeshje të zhvilluara në Prishtinë ka dy fitore dhe dy barazime, ndërsa humbjen e vetme si vendas e ka pësuar ndaj Malmos në “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Nënkampionët e Kosovës në raundin e parë kanë eliminuar Inter Turkun, ndërsa Antwerp kampanjën e tyre në Ligën e Konferencës e kanë filluar pikërisht ndaj Dritës në raundin e dytë. /Gazeta Olle/