Drenica pajiset me teknologjinë më të re “Katapulta GPS”

KF Drenica është pajisur me teknologjinë më të re nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Gjatë vizitës në “Bajram Aliu” në Skënderaj, presidenti i FFK-së, Agim Ademi prezantoi këtë projekt madhor për futbollin kosovar, madje presidenti Ademi e cilësoi si projekti më i madh pas sistemit VAR.
“Pas projektit VAR që është mirëpritur nga të gjithë ju dhe opinioni i gjerë, tani kemi filluar edhe me fazën e parë të digjitalizimit të klubeve të Superligës, duke bërë furnizimin e tyre me pakot e katapultave GPS. Kjo është një pajisje e teknologjisë më të fundit, e lehtë për t’u bartur dhe shumë e përshtatshme. Kjo pajisje e mundëson që të shihet performanca e juaj fizike, por edhe pozicionimi juaj në fushë. Ky projekt do të na mundësojë të shohim se sa do të kemi ngritje në aspektin fizik dhe profesional në klubet tona. Por, ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, ngase pas një viti sigurisht se do të bëjmë një hap tutje në digjitalizim, në mënyrë që të nxirren të gjitha statistikat e futbollistëve përfshirë edhe vendosjen e çipave në top, që do të mundësojnë të kemi statistika edhe për shpejtësinë dhe saktësinë e gjuajtjes së secilit lojtar”, ka thënë presidenti Ademi.
Falënderues dhe mirënjohës për këtë mbështetje u shpreh dhe presidenti i KF Drenicës, Mustaf Bajraktari dhe i tërë stafi i skuadrës kuq e zi.
Drenica mori lavdatat dhe përgëzimet e presidentit Ademi edhe për punën dhe lojrat e mira që po zhvillojnë në këtë sezon.
\RTV-Okarina\