Drenica ka regjistruar fitoren e njēmbëdhjetë këtë sezon duke mposhtur Ulpianën me rezultat 3-1
Drenicasit ishin dukshëm më të mirë gjatë gjithë ndeshjes duke dominuar kundërshtarin në çdo aspekt dhe skuadra bëri që të mos ndihet mungesa e Kreshnik Ukës.
Golin e parë të ndeshjes e shënoi Osman Mëziu në minutën 23′ pas asistimit të Armend Abazit.
Kuqezinjët kishin dhe disa raste të tjera në pjesën e parë, por nuk arritën të dyfishonin rezultatin dhe kështu me epërsi minimale përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë ishte koha për “Abazi Show” me anësorin që shënoi dy gola.
Fillimisht 27-vjeçari realizoi pas një superaksioni me shumë pasime të bukura në minutën 53′, kurse golin për 3-0 e shënoi nëntë minuta më vonë.
Pas epërsisë komode, trajneri Tahir Lushtaku i pushoi futbollistët titullarë për ndeshjen e vështirë që i pret kundër Drites në Gjilan.
Për musafirët golin e nderit e shënoi Ahmeti me një goditje shumë të bukur nga jashtë zone.
Tashmë Drenica ka grumbulluar 39 pikë, kurse Ulpiana mbetet në kuotën e 25 pikëve.