Drenica e mbylli edicionin 2021-2022 në pozitën e 6-të duke arritur 14 fitore, 8 barazime dhe pësoi 14 humbje.
Një nga pikat më të dobëta të skuadrës nga Skënderaj ishte mbrojta e cila pësoi 48 gola duke u renditur si mbrojtja e tretë më e dobët pas dy skuadrave që u larguan nga Superliga.
Në fakt, mbrojtësit drenicas ishin në formë shumë të mirë deri në momentin kur Drenica kishte krizën financiare e që ndikoi shumë në këtë statistikë të dobët.
Në atë kohë, kuqezinjtë pësuan 6 humbje radhazi, ku vetëm në këto 6 ndeshje pësuan 11 gola.
Llapi dhe Gjilani janë dy skuadrat të cilat kanë shunëar më së shumti gola në portën e Drenicës (secila nga 9 gola në 4 ndeshjet e luajtura).
Drenica gjatë këtij sezoni nuk u “rehatua” me portier, teksa katër portierët e aktivizuar nuk gjetën vazhdimësi për të qenë titullar i padiskutueshëm.
Visar Haxhijaj mbrojti portën në 12 ndeshje, duke e mbajtur portën e paprekur në 4 ndeshje.
Mikel Kaloshi mbrojti portën drenicase në 6 ndeshje, ku vetëm në një rast nuk pësoi gol.
Florjan Smakiqi mbrojti portën e Drenicës në 8 ndeshje, ku vetëm në njërën prej tyre nuk pësoi gol.
Arlis Shala u aktivizua në 10 ndeshje, duke mos pësuar gol në 3 prej tyre.
Në vazhdim po ua sjellim tre mbrojtësit me më së shumti paraqitje këtë edicion:
Shkelzen Lushtaku
Kapiteni veteran ka luajtur në 31 ndeshje për një total prej 2.697 minutave.
“Kelito” kaloi në një formë fantastike në fillim të sezonit, por edhe tek ky futbollist si tek e tërë skuadra ndikuan problemet financiare të skuadrës.
Një kontribut i çmuar në mbrojtje dhe një asist i dhuruar nga anësori i djathtë i Drenicës.
Granit Jashari:
23-vjeçari ishte senzacioni i edicionit që sapo përfundoi. Qëndërmbrojtësi u aktivizua në 28 ndeshje këtë edicion për një total prej 2.505 minutave.
Paraqitjet e tij ishin mbresëlënëse, por pasi pësoi një dëmtim forma e tij ra ndjeshëm.
Ermal Veliqi:
20-vjeçari është shndërruar një “Xhoker” i trajnerit Tahir Lushtaku, i cili e inkuadroi futbollistin në 24 ndeshje (1,868 minuta).
E veçanta e këmbëshpejtit shtatshkurtër është sepse u aktivizua në disa pozicione në fushë si në të dy krahët e mbrojtjes, ashtu edhe në të dy krahët e mesfushës.
Një punë të madhe në mbrojtje bënë padyshim dhe mesfushorët qëndror Arbios Thaçi dhe Fatlum Gashi, si dhe mesfushori defanziv Besfort Dervishaj.