Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke cituar burime të paemërtuara në Bruksel, kryeministri slloven Janez Jansha ia ka dorëzuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, një dokument mbi prioritetet e Presidencës sllovene të BE-së, në të cilat, siç thuhet, janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë”, raporton gazeta kroate “Jutarnji.hr”.
Me këtë, siç shkruan “B92”, pretendohet se Jansha donte të informonte kreun e KE-së për një nga prioritetet e Presidencës së Bashkimit Evropian, të cilin do ta marrë Sllovenia nga 1 korriku i këtij viti.
Nga Brukseli aktualisht arrijnë informacione kontradiktore për ekzistencën e dokumentit të diskutueshëm.
Korrespondenti i gazetës sllovene “Delo” nga Brukseli, Peter Zherjaviq, njoftoi në llogarinë e tij në “Twitter” se i është konfirmuar nga zyra e Charles Michelit se ai kishte marrë “non – paper” nga Jansha, por që pas më pak se gjysmë ore gjërat ndryshuan: “Nuk mund të konfirmojmë që kemi marrë ‘non-paper’”, kanë thënë nga Brukseli .
Gjithçka filloi me artikullin e portalit të BeH “Politicki.ba”, për të cilin thuhet se është i lidhur me komunitetin lokal të inteligjencës, i cili njoftoi se Jansha angazhohet në favor të ndryshimit të kufijve të Serbisë dhe Kosovës sipas planit Vuçiq – Thaçi, i cili ishte në opsion vitin që shkoi derisa Donald Trump ishte presidenti i SHBA-së, por ai u kundërshtua fuqimisht nga Gjermania, shkruan gazeta kroate “Jutarnji.hr”.
Në këtë artikull thuhet se Jansha ka shkuar një hap tutje, duke parashikuar mundësinë e shkëputjes së Republikës Srpska, bashkimit të pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore me shumicën shqiptare në Shqipëri dhe bashkimi i Hercegovinës Perëndimore me Kroacinë.
“Politicki.ba” shton po ashtu se kryeministri slloven nuk është i vetëm në përpjekjet e tij që t’i ridefinojë kufijtë në Ballkan dhe se për këtë ka mbështetjen e Hungarisë, Kroacisë dhe Polonisë, ndërsa këtij plani dritën jeshile ia kanë dhënë edhe Austria e Franca. Kujtojmë se ky i fundit kishte shprehur neutralitet gjatë bisedimeve Vuçiq – Thaçi, shkruan më tej “Jutarnji”.
Shkrimi i këtij mediumi nga BeH ndoshta nuk do të kishte jehonë sikur mos ta ngrehte në një nivel më të lartë anëtari i Presidencës së BeH, Zhelko Komshiq, nga zyra e të cilit ftuan në bisedë ambasadoren sllovene në BeH, Zorica Bukinac.
/RTV-Okarina/