Dita Botërore e luftës kundër HIV/AIDS

 

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.

Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV/AIDS-it në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.

E themeluar në vitin 1988, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it ishte dita e parë shëndetësore globale.

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it u propozua fillimisht në muajin gusht të vitit 1987 nga Thomas Netter dhe James W. Bunn, të dy zyrtarë të informimit publik për Programin Global të HIV/AIDS-it në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë. Ata kishin ndarë idenë e tyre për ditën e HIV/AIDS-it me Dr. Jonathan Mann (Drejtor i Programit Global të HIV/AIDSit), i cili e kishte miratuar idenë dhe rekomandoi respektimin e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it më 1 dhjetor të vitit 1988.

Kombet e Bashkuara kanë ngritur një Program të Përbashkët për HIV/AIDS-in, i njohur si UNAIDS. Programi filloi veprimtarinë në vitin 1996 duke promovuar në mbarë botën aktivitete të lidhura me hiv/AIDS-in.

Në vitet e para, temat e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it ishin fokusuar vetëm te fëmijët dhe të rinjtë.

Nga viti 1998 e deri më sot, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet nën slogane të ndryshme.

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it simbolizohet nga fjongoja e kuqe, simboli global i solidaritetit me njerëzit HIV pozitiv dhe ata që jetojnë me AIDS.

Ideja për krijimin e një simboli global në luftën kundër HIV/AIDS-it lindi në fillim të vitit 1991 në Nju Jork. Ky është një simbol për solidaritet dhe tolerancë për njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS dhe që shpesh diskriminohen nga publiku.

Në Evropë simboli i fjongos së kuqe përkoi fillimisht me të Hënën e Pashkëve të vitit 1992, kur më shumë se 100.000 fjongo të kuqe u shpërndanë gjatë koncertit ndërgjegjësues të Fred Mërkurit (Freddie Mercury) në stadiumin Wembley të Londrës. Po këtë ditë u themelua Fjongoja e Kuqe Internacionale në Londër.

Fjongoja e kuqe bashkon njerëzit në luftën e përbashkët ndaj kësaj sëmundjeje.

 

\RTV-Okarina\