Digjen dhjetëra hektarë pyje në Malishevë

Zjarr në komunën e Malishevës

Në mes të fshatrave Gurbardh dhe Turnjakë të Malishevës janë djegur dhjetëra hektarë pyje.

Komuna e Malishevës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se zjarret janë regjistruar edhe në disa vende tjera dhe se ekipet e zjarrfikësve dhe shpëtimit kanë intervenuar në shuarjen e tyre.

“Ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit, gjatë tërë ditës janë angazhuar në shuarjen e zjarrit në malet në mes të fshatrave Gurbardh dhe Turjakë, pasi zjarri, i ndihmuar edhe nga erërat, ka bërë që të digjen me dhjetëra hektarë me pyje. Po ashtu zjarre janë regjistruar edhe në malet në mes të fshatrave Guriq dhe Pagarushë, pastaj në Panorc, si dhe një shtëpi e pabanuar në fshatin Shkozë”, thuhet në njoftim.

Zjarr në Komunën e Malishevës

Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se në vendngjarje kanë qenë edhe ekipet e drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, ndërsa zjarrfikësit janë ndihmuar edhe nga banorët.

Kryetari i kësaj Komune, Ekrem Kastrati, ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, që të bëjnë kujdes dhe të tregojnë vigjilencë të shtuar, në mënyrë që të mos shkaktohen zjarre të tilla.