“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje, por në fund të procesit e jo si parakusht”

“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje, por në fund të procesit e jo si parakusht”

Dëshira e Francës është që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë në njohje të ndërsjellë, ka thënë për Radio Televizionin e Vojvodinës, ambasadori francez në Beograd, Pierre Cochard.


Megjithatë, njohja e ndërsjellë, sipas ambasadorit, duhet të jetë rezultat në fund të dialogut, dhe jo kërkesë e paracaktuar për të.

“Duam që të arrijmë njohje të ndërsjellë [mes Kosovës dhe Serbisë] në fund, por gjatë procesit ne nuk vendosim kushte paraprakisht. Çfarë është e rëndësishme është dialogu që lejon popullin e Serbisë dhe të Kosovës të jetojnë në paqe, të tregtojnë dhe të udhëtojnë”, është shprehur Cochard.

“Prioritet duhet të jetë progresi në dialog”, vuri theksin ai.

Pierre Cochard tha se është interes i ndërsjellë por edhe rajonal që dialogu të jep rezultate, por se u shpreh se “fatkeqësisht nuk janë bërë përparime me muaj”.

“(Qëllimi i dialogut) është normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy shteteve, e cila eventualisht do ketë një kornizë ligjërisht të detyrueshme”.

Mes tjerash, ai e qortoi mosrreshtimin e Serbisë karshi Bashkimit Evropian në sanksionet ndaj Rusisë, për çka u shpreh se “kjo e ndikon imazhin e Serbisë në opinionin publik evropian”.

“Është për t’u befasuar se sa butë shikohet regjimi rus i cili shkakton kaq shumë vdekje dhe shkatërrim në një vend evropian. Është e rëndësishme që Serbia të jetë në vijë me zgjedhjen evropiane dhe të dëshmojë me vendime se sjellja e Rusisë në Ukrainë është e papranueshme”, është shprehur mes tjerash ai.