Deputetja e zgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, ka thënë se kanë pranuar mesazhe kërcënuese nga Dardan Stublla, bashkëshorti i ish-ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Bytyqi e cila siguroi ulëse në Kuvendin e Kosovës pas rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, tha se do të bëjë një reagim publik në rrjetin social Facebook.
Nga zyra për media e policisë kanë thënë se forcat e rendit kanë ndaluar një veturë në Bresje të Fushë Kosovës, por, sipas tyre prokurori i shtetit nuk ka vlerësuar se duhet iniciuar ndonjë rast.
“Lidhur me interesimin tuaj u njoftojmë policia ka ndaluar një veturë në Bresje Fushë Kosovë, por nuk ka iniciuar ndonjë rast ndaj drejtuesit të veturës”, ka thënë shkurt Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.
KALLXO merr vesh se familja e deputetes së zgjedhur, Albana Bytyqi është njoftuar nga vetë Policia e Kosovës për kërcënimin.
Se Policia i ka njoftuar vetë familjen e Bytyqit e ka konfirmuar edhe bashkëshorti i Albanës, Jetmir Bytyqi duke mos dashur të japë shumë detaje.
“Dua që ta ndjekni vijën institucionale, kontaktoni me Policinë e Kosovës…”, ka thënë ai.
Po ashtu kallxo ka provuar të kontaktoj edhe ish-ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla, mirëpo ajo nuk është përgjigjur në telefon, percjell Reporteri.com
Haradinaj- Stublla pati fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës pas rezultateve përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por pas disa ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme, ajo humbi mandatin e legjislaturës së tetë të Parlamentit.
KQZ sot certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit ndërsa në vend të Haradinaj- Stublla tani është Albana Bytyqi.