Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve H.M dhe SH.G për shkak se kanë kryer akt seksual me viktimën B.SH pa pëlqimin e saj dhe duke e shfrytëzuar aftësinë e saj të kufizuar mendore.
Fillimisht i pandehuri SH.G e kishte shfrytëzuar seksualisht viktimën nga maji i vitit 2019 duke kryer marrëdhënie seksuale me të sa herë janë takuar, duke shfrytëzuar edhe aftësinë e saj të kufizuar mendore dhe me premtimin e rremë për martesë.
Më pas, i njëjti e kishte dërguar tek i pandehuri tjetër, H.M, i cili për dy ditë në banesën e tij e ka detyruar viktimën të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj. Bëhet e ditur se kur viktima kishte dalë nga banesa e tij për të blerë bukë, aty ishte takuar me vëllezërit e saj dhe rasti ishte raportuar në polici.
Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale të dhunimit.
Ndaj tyre gjykata shqiptoi dënimin me burg në kohëzgjatje prej gjashtë vjet e gjashtë muaj për secilin, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
/RTV-Okarina/