Përveç vlerësimit të pasojave direkte dhe indirekte, rreziku nga zgjerimi i fushatës ushtarake pushtuese të Rusisë mbi Ukrainen përtej saj, tanimë ndihet dukshëm tek shtetet afër dhe pranohet gjerësisht edhe nga rajonet përreth.
Shkruan: Feston Hajdini, PHD
Rreziku i pasojave destabilizuese nga zhvillimet në fjalë, që, në mënyrë të veçantë, ndihet në Ballkan, vjen si rezultat i pikëtakimit dhe përputhshmërisë së vizionit pushtues dhe qasjeve armiqësore të Serbisë në Ballkan me ato të Rusisë.
Konstatimi se, ky pikëtakim ideologjik i Serbisë me Rusinë përbën burimin e qëndrimit pro-rus të Serbisë në lidhje me agresionin rus mbi Ukrainën, shënon epiqendrën e reagimeve të opinionit publik në Kosovë. Konstatimi qëndron katërçiprisht. Por, doza e habisë dhe e surprizimit që përmban një pjesë e konsiderueshme e reagimeve dhe komenteve të opinionistëve të ndryshëm në lidhje rreshtimin serb, përbën habi në vete.
Kjo na bën të kuptojmë se, në Kosovë, ka qenë e pranishme bindja se orientimi, politikëbërja dhe ideologjia politike e Serbisë në Ballkan ishte në proces të transformimit në drejtim të vlerave humane. Thënë ndryshe, për një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik në Kosovë, me gjithë destruktivitetin konstant të së saj (Serbisë), është nevojitur të shfaqej hapur një qëndrim i tillë i Serbisë që tu bëhej e qartë se, Serbia, ushqen dhe mirëmban me fanatizëm mentalitetin e saj shovinist e hegjemonist në Ballkan. Bindja në fjalë, e një pjese të opinionit publik në Kosovë, është pasojë e prekjes nga iluzioni i ndërtimit të fqinjësisë së mirë me Serbinë, i stisur me presion nga BE-ja, i përbrendësuar naivisht dhe promovuar në mënyrë të njëanëshme nga përfaqësuesit tanë, dhe, në të njëjtën kohë, i shfrytëzuar nga pala serbe për t’i kamufluar qëllimet e saj deri në momentin e parë të përshtatshëm që do t’i premtonte realizimin e tyre.
Një besim në një ide të tillë, në mungesë të pranisë ushtarake të ShBA-së dhe NATO-së në Kosovë, do të na kushtonte sot ashtu siç po i kushton Ukrainës. Prandaj, efekti i parë nga lufta Rusi-Ukrainë në kontekst të raporteve Kosovë-Serbi është goditja dhe dekonstruktimi i iluzionit të ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Serbinë. Për Serbinë, fqinjësia së mirë është një koncept i pakapshëm në raport me popujt dhe shtetet mbi të cilët fuqia ushtarake i premton epërsi. Me fjalë të tjera, në çdo rast të epërsisë ushtarake të Serbisë mbi ne, është lufta, nënshtrimi dhe skllavëria që na pret, e jo fqinjësia e mirë.
Mesazhi i dytë i rëndësishëm që fushata pushtuese e Rusisë mbi Ukrainën përçon tek ne në lidhje me raportet me Serbinë, e që lidhet me atë të parin, është çështja e njohjes reciproke. Është besuar shumë që, ngecja e shtetit të Kosovës në rrugën e stabilizimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe problemet me Serbinë janë krejtësisht pasojë e mosnjohjes së Kosovës nga Serbia.
Çështja e subjektivitetit ndërkombëtar mund të ketë disi njëfarë varësie nga (mos) njohja e Serbisë, por, e dyta, ajo e problemeve me të, nuk qëndron. Ukraina kishte pranuar njohjen e pavarësisë së saj nga Rusia që në ditën e shpalljes së saj. Por, sot, 31 vjet nga shpallja dhe njohja e saj, pavarësia dhe sovraniteti i Ukrainës cenohet pikërisht nga vetë Rusia. Kjo, në lidhje me raportet me Serbinë, na bën të vetëdijshëm se njohja e pavarësisë sonë nga Serbia nuk përbën assesi fundin e problemeve me të.
Prandaj, njohja nga Serbia mund/duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut me Serbinë, por, assesi, nuk duhet të përceptohet një objektivë që u jep fund problemeve me të.
Raportet stabile reciproke me Serbinë mund të arrihen vetëm mbi bazën baraspeshës së fuqisë ushtarake. Ndërkaq, pozicionimi pro-rus i Serbisë duhet të shihet si një shteg i ri për shtetin tonë që duhet shfrytëzuar në aspektin e ripërtërirjes së përkrahjes ndërkombëtare dhe daljes nga situata e defaktorizimit politik. Kjo duhet të përbëj boshtin e lobit diplomatik kosovar në rrethanat e reja që po lindin.
Prandaj, duhet të bëhemi shumë të vetëdijshëm se, ne si popull dhe si shtet, vazhdojmë ta kemi në dispozicion mundësinë historike për ekzistencë të lirë, mundësi, të cilën nuk e kemi parë dhe shfrytëzuar si të tillë për këto 22 vite, e nuk e dimë se edhe sa i kanë mbetur derisa të na ikë! Koha po dëshmon që fatet e popujve të vegjël përcaktohen përgjatë gërshetimit e interesave të popujve të mëdhenj.
Rastet historike duhet t’i shfrytëzojmë për tu rritur, jo vetëm për të ekzistuar!