Ka përfunduar takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Aleksandar Vuçiq ka thënë se janë pajtuar që dialogu të vazhdojë deri në fund të korrikut.
Ai ka treguar se në këtë takim kanë pasur mospajtime të mëdha me palën kosovare.
Vuçiq tha se delegacioni kosovar nuk dëshiroi të flasë për Asociacionin dhe se në takim i kërkoi tri gjëra:
“E para është që delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që ata nënshkruan, ata nuk duan të flasin për Asociacionin e Komunave Serbe. E dyta është se ata kërkuan urgjentisht dhe menjëherë ta dinë kur do ta njohim Kosovën.
E treta është se ata e konsideronin provokim faktin që serbët duan të marrin pjesë në liturgjinë në kishat e tyre. Unë isha i butë dhe nuk doja të theksoja, po kjo është mungesë e realitetit, seriozitetit dhe përgjegjësisë”, citohet të ketë thënë presidenti serb.
Ai shtoi se ata biseduan për personat e zhdukur dhe sa e rëndësishme është të zbulohet vendi ku është varrosur çdo shqiptar dhe serb. I pyetur nëse e kishte fyer Albin Kurtin gjatë takimit, Vuçiq tha se nuk arritën të pajtoheshin për asgjë.
“Unë u përgjigja ashpër, por nuk e kalova kufirin. Ai erdhi që të mos binte dakord për asgjë. Ai tha:”Kam ardhur të të pyes kur do ta njohësh Kosovën”. Unë i thashë: “Asnjëherë”. Ai shpërtheu”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq po ashtu tha se Kurti e kërcënoi se do të ngrinte padi për gjenocid dhe unë iu përgjigja që ta bëjë.
\RTV-Okarina\