Emërimi si komandat i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i Bashkim Jasharit, nipit të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit, ka bërë që andej kufirit verior të vendit të ketë shqetësime.
Ish-gazetari i pushtetit të Millosheviqit dhe më pas politikani, që sot udhëheq Komisionin për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, nuk po mund ta pranojë që një nga Jasharët është në krye të FSK-së.
Ai në një intervistë në transmetuesin publik serb ka thënë që kjo tregon se kryeministri Albin Kurti “s’po mund të dalë nga UÇK-ja”.
“FSK-ja është vazhdimësi e veprimtarisë së UÇK-së. Pas ardhjes së forcave ndërkombëtare, UÇK-ja u çmobilizua dhe u uniformuan 5000 pjesëtarë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Pasardhëse e TMK-së është FSK-ja”, ka thënë Drecuni.
Më tej, duke folur për komandantin e ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, Drecuni thotë se ai është nip i Adem Jasharit dhe s’mund të udhëheqë një formacion multietnik.
Bashkim Jashari u emërua javën e kaluar komandanti i FKS-së. Ai ka qenë pjesë e UÇK-së, TMK-së dhe tash FSK-së. Bart mbi supe, përveç mbiemrit legjendar, edhe shumë përvojë dhe trajnime ndërkombëtare në fushën e sigurisë. rtvokarina.