Në ditën kur do të ndodh liberalizimi i vizave, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të udhëtojnë në të gjitha shtetet e Zonës Schengen. Megjithatë për të realizuar udhëtimet në këto shtete ekzistojnë disa rregulla dhe detyrime që duhet të respektohen.
Shtetet në të cilat udhëtohet pa viza janë shtetet anëtare të zonës Schengen e cila përfshinë: Austrinë, Belgjikën, Republikën Çeke, Danimarkën, Estonin, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Hungarinë, Islandën, Italinë, Letoninë, Litenshtajnin, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Holandën, Norvegjinë, Poloninë, Portugalinë, Sllovakinë, Slloveninë, Spanjën, Suedinë dhe Zvicrën.
Liberalizimi i vizave mundëson qëndrim deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj) për të gjithë qytetarët e vendit në shtetet e Zonës Schengen.
Sipas MIE-së, për t’u udhëtuar pa viza qytetarët duhet të posedojnë pasaportë biometrike të Republikës së Kosovës, dokumente që dëshmojnë se keni mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin në shtetin përkatës, dokumente që tregojnë vendin ku do të qëndroni, arsyet e vizitës si dhe sigurimin shëndetësor.
Nga ana tjetër kjo ministri shpjegon se liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk mundëson punësim në shtetet e zonës Schengen dhe nuk jep të drejtë të kërkohet azil.
Në rast të shkeljeve dhe abuzimit me rregullat e caktuara precizohet se pasojat për individin përfshijnë: shqiptim të gjobës në të holla, shënim në dosjen ku figuron shkelja dhe ndalim të hyrjes në zonën Schengen për 5 vitet në vijim.
Në rast se qytetarët keqpërdorin të drejtën e udhëtimit pa viza, atëherë BE-ja mund të suspendojë liberalizimin e vizave për Kosovën.