Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.
Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë folur për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve të cilat i kanë cilësuar si të shkëlqyera.
Osmani ka thënë se Maqedonia e Veriut e mbështet procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë si qëllim final.
“Më gëzon fakti që bashkë me ministren Gërvalla theksuam raportet jashtëzakonisht pozitive bilaterale – dy shtete sovrane që kanë një numër të madh të pikave të përbashkëta. Është një shembull i mirë për rajonin që ende po ballafaqohet me sfida të shumta”.
“Biseduam për shumë çështje konkrete, tema ekonomike, lidhje infrastrukturore, lidhje energjetike, gazi natyror, lehtësimi i transportit të mallrave”.
Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm ekonomik.
“Biseduam për çështjet me karakter ndërkombëtar. Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s tërësisht përkrah perspektiven euroatlantike të Kosovës”.
“Ambicia është integrimi i plotë i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe si vend negociues me BE-në, jemi të gatshëm t’i vendosim në dispozicion të Kosovës të gjitha njohuritë tona”.
“Maqedonia e Veriut mbështet përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në rajon – dialogun Kosovë-Serbi dhe vlerëson se qëllimi final duhet të jetë njohja e ndërsjellë e dy shteteve dhe integrimi evropian i gjithë rajonit”.
Ndërsa sa i përket dokumentit “non-paper” ku flitet për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor i cili ka qarkulluar nëpër media kohëve të fundit, Osmani ka thënë se nuk duhet ta lidhim këtë dokument me Slloveninë.
“Unë kam një qëndrim se nuk dihet të biem në kurthin e lidhjes së autorësisë me Slloveninë sepse një gjë e tillë është demantuar nga Sllovenia”.
“Qëndrimi ynë ka qenë i prerë, se në Ballkan janë përdorur shumë modele në trajtimin e çështjeve etnike. Marrëveshja e Ohrit dhe Pavarësia e Kosovës janë treguar si modele të suksesshme në rajon”.
“Alternativa e vetme për paqe të qëndrueshme është zgjerimi i NATO-s dhe integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian”.
\RTV-Okarina\