Bojkotimi i mësimit në “Sami Frashëri”, KMDLNJ kërkon nga Komuna e Prishtinës ta zgjidhë problemin

 

Në Gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet tash e sa ditë nuk po mbahet procesi mësimor për shkak se mësimdhënësit nuk po e pranojnë Fahrije Retkoceri për drejtoreshë të kësaj shkolle. E gjithë kjo ka ardhur pas konkursit për zgjedhjen e drejtorit të ri të gjimnazit.

Përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, sot takuan Këshillin Grevistë të Gjimnazit “Sami Frashëri”, me ç’rast u informuan për gjendjen e krijuar në këtë shkollë.

Sipas mësimdhënësve, ata nuk e pranuan drejtoreshën, e cila sipas tyre është përzgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe se ata janë të vendosur të mos mbajnë mësim deri në plotësimin e kërkesës. Grevës i janë bashkangjitur 46 mësimdhënës ndërsa dy të tjerë nuk janë pjesë e grevës.

Mësimdhënësit pohuan se ata kanë pasur informata disa muaj më parë se e njëjta do të vijë si drejtoreshë dhe pohuan se ajo ka pasur pretendime se do të “vendosë rregull” në këtë shkollë.

Mësimdhënësit pohuan se që nga njoftimi publik i DKA-së së Komunës së Prishtinës për përzgjedhjen e kandidatit të suksesshëm, kanë dorëzuar një peticion me të cilin shprehin pakënaqësitë për gjithë procesin duke e përfshirë edhe procesin e intervistimit, ku sipas të njejtëve as Komisioni vlerësues nuk ka qenë i kompletuar.

Që në ditën e parë të punës si drejtoreshë , stafi në shenjë pakënaqësie në momentin kur drejtoresha ka hyrë në sallën e profesorëve, kanë lëshuar sallën të gjithë. Sipas mësimdhënësve, kanë pasur edhe presion nga jashtë dhe veçanërisht nga DKA e Prishtinës për ndërprerje të grevës.

Në këtë konkurs kanë qenë kandidatë zëvendës drejtori aktual dhe një mësimdhënës, të cilët pohuan se nuk kanë marrë pjesë në intervistim ngase kanë pasur informata se drejtoresha aktuale do të emërohet në këtë pozitë dhe se ata nuk kanë dashur të jenë pjesë e një procesi të montuar.

Mësimdhënësit kanë kërkuar që të kenë edhe një takim me kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti sipas të cilëve besojnë se ka qenë vendim i tij për emërimin e drejtoreshës.

KMDLNJ gjithashtu takoi drejtoreshën aktuale, Fahrije Retkoceri e cila tha se ka përfillur të gjitha procedurat e kërkuara me konkurs dhe ligj dhe se ajo nuk ka asnjë pretendim siç pohojnë disa nga mësimdhënësit grevistë.

Gjithashtu, ajo u shpreh e gatshme për bashkëpunim me të gjitha institucionet për të gjetur zgjidhje.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) fton Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës që të gjejë një zgjidhje sa më parë për këtë situatë të krijuar ngase sot është dita e 5-të që nuk po zhvillohet mësimi në këtë shkollë.

Sipas KMDLNJ-së në rastin konkret, nxënësit e kësaj shkolle po e pësojnë për faktin se pa fajin e tyre janë të përjashtuar nga procesi mësimor duke ua shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut.

Për këtë arsye KMDLNJ fton të gjitha palët ta tejkalojnë situatën e krijuar, të vazhdohet procesi mësimor dhe të hetohet rasti, që nga shpallja e konkursit, intervistimi e deri te përzgjedhja pas së cilës do të përcaktohej përgjegjësia konkrete për situatën e krijuar dhe në përputhje me këtë do të ndërmerreshin masat ndaj atyre që iu dëshmohet përgjegjësia.

Për KMDLNJ-në vetëm ndërprerja dhe vazhdimi i procesit mësimor është e pranueshme, ndërsa kundërshtimi i zgjedhjes së drejtoreshës që po kundërshtohet mund dhe duhet të bëhet vetëm dhe përmes rrugëve ligjore.

 

\RTV-Okarina\