Bankat Komerciale kanë lëshuar 974 milionë euro kredi të reja

 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti tha se vetëm gjatë vitit 2021, bankat komerciale kanë lëshuar kredi të reja 974 milionë euro.

“Nëse shohim sektorin bankar si komponent kryesore të sektorit financiar, edhe përkundër rreziqeve të pritura gjatë periudhës së pandemisë, vetëm gjatë vitit 2021, ka arrit të lëshoj kredi të reja 974 milionë euro, gjë që ka bërë që totali i kredive të jetë 3.5 miliardë euro apo me një rritje vjetore prej 12 përqind. Vazhdon të ketë edhe rritje të aseteve. Asetet në sektorin bankar kanë shënuar 5.6 miliardë euro apo me një rritje vjetore rreth 15 përqind…

 

 

Gjithashtu sektori bankar vazhdon ta ketë besueshmërinë e lartë të publiku, dhe si rezultat i saj kemi rritje të depozitave që kanë arrit të jenë 4.5 miliardë euro me një rritje prej 14.5 përqind. Në anën tjetër norma e interesit në kredi ka rënë në 6 përqind, gjë që ka bërë të lehtësohet qasja në financa”, thotë ai. 

Në anën tjetër, kreditë joperformuese (kreditë e këqija), edhe pas përfundimit të moratoriumit që ka qenë një periudhë ristrukturimit, prapë se parapë vazhdojnë të mbesin të ulëta, duke shënuar kështu 2.6 përqind.

Guvernatori Mehmeti ka treguar edhe mënyrën e fitimit të bankave në gjysmën e parë të këtij viti që kanë shënuar 55 milionë euro. 

“Me të dhënat e qershorit, diku rreth 55 milionë euro është fitimi i bankave. Bankat vazhdojnë ta ruajnë atë normën e profitit që realisht e kanë ndër vite dhe realisht kjo nuk është si rezultat i rritjes së normave të interesit, por si rezultat i menaxhimit më të mirë të shpenzimeve ose zvogëlimit të shpenzimeve që bankat janë duke i bërë.

 

 

Tash, një gjë çka ne e kemi jo vetëm si Kosovë, por edhe në nivel global se edhe prej krize del diçka e mirë. Që në rastin konkret, ne kemi qenë shumë të kujdesshëm në lëvizjen e digjitalizimit të sektorit bankar. Mirëpo, pandemia bëri që ky proces të përshpejtohet. Tash lëvizja drejt digjitalizimit ka bërë që të ulëte kosto, të rritet efikasiteti për klientë, por gjithashtu edhe për bankat”, thotë ai.

 

\RTV-Okarina\