Qytetarët janë duke u përballur me ndryshime të çmimeve brenda ditës.
Menaxherja e një marketi në Prishtinë, për SHQIP.com ka thënë se brenda ditës ka ndryshuar më shumë se dy herë çmimi i vajit.
“Dje në mëngjes çmimi i vajit ka qenë 1.85 euro, mandej kemi pranuar e-mail nga departamenti që ta ndryshojmë në 2.29, mirëpo në mbrëmje e kemi rritur prapë në 3.49 euro”, tregon ajo.
Në kushte anonimiteti, ajo thotë se raftet po lihen qëllimisht të zbrazëta pasi në depo ka mjaftueshëm produkte.
“Sot në mëngjes prej orës 7 deri në 10 nuk i kemi mbushur raftet. Pas orës 10 kemi filluar t’i me i mbush, dhe vendimi është që të mos plotësohet sasia deri pasdite edhe nëse shitet kjo që e kemi vendos”.
INDEP: 300 ankesa nga qytetarët për rritje të organizuar të çmimeve
Fatbardha Restelica, asistente hulumtuese në platformën për “Mbrojtjen e konsumatorëve” në INDEP, tregon se vetëm brenda dy muajsh kanë pranuar mbi 300 ankesa nga qytetarët me pretendimet për rritje të organizuar të çmimeve.
Ankesat më të mëdha janë për produkte bazike: miell, vaj dhe vezë.
“Çmimet e produkteve, për të cilat konsumatorët po ankohen më së shumti kanë të bëjnë me vajin, miellin me produktet e tjera bazike për ushqim për ta, p.sh çmimi i vezëve ka filluar të rritet jashtëzakonisht shumë për këtë periudhë të vitit, gjithashtu ka shumë ankesa për rritjen e çmimeve të derivateve të naftës. Ata po ankohen se çmimet po rriten në mënyrë të njëtrajtshme nuk është se një market apo biznese po e mban një çmim për disa ditë më gjatë, ata po dyshojnë se ka rritje të dakorduar të çmimeve mes bizneseve”, thotë ajo.
Restelica thotë se gjithë kjo po bëhet pasi Autoriteti i Konkurrencës që kryen këto hetime, nuk është funksional.
Për këtë, kërkon miratim urgjent të pesë emrave të propozuar për anëtarë bordi.
“Po, absolutisht, është duke u shfrytëzuar situata, sepse po e shohim që çmimi i naftës rritet në bursë dhe menjëherë pa kaluar as dy orë, çmimi nga të gjitha bizneset rritet në mënyrë të njëtrajtshme, pra të gjitha pikat furnizuese të karburanteve pavarësisht a kanë pasur sasi në depot e tyre e ngritin çmimin menjëherë”.
Se çmimet janë duke u manipuluar, e ka konfirmuar edhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Kjo nuk është fer në treg dhe përmes bashkëpunimit me Autoritetin e Konkurrencës, ne do t’i identifikojmë të gjitha këto marrëveshje të përbashkëta të tregtarëve dhe produkteve të ndryshme në treg”, ka shtuar ajo.
Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për t’i dërguar Kuvendit listën e emrave për kryetar, zëvendëskryetar dhe anëtarë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Hekuran Nikqi është propozuar për kryetar; KaltrinaSela për zëvendëskryetare, ndërsa Shpend Miftari, Besnik Stublla dhe NafieNosdautaj janë propozuar për anëtarë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Nga muaji qershor i vitit të kaluar kur ka përfunduar mandati i kryetarit dhe komisionit të kaluar, AKK-ja nuk e ka funksional këtë mekanizëm.