Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar amendamentin 1 të marrëveshjes financiare për IPA 2018, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që mundëson rialokimin e 1.5 milion eurove për projektin e ndërrimit të filtrave për Termocentralin Kosova B.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi prezantoi marrëveshjen, derisa tha se është shumë e rëndësishme që e njëjta të hyjë në fuqi sa më shpejt në mënyrë që të rialokohen mjetet.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që kjo marrëveshje të hyjnë në fuqi sa më parë në mënyrë që shuma prej 1.5 milion euro të mund të kontraktohet brenda afatit, në të kundërtën tha mjetet duhet të kthehen mbrapa në buxhetin e BE-së. Afati i fundit për kontraktim është tetori i vitit 2022.
Bislimi bëri të ditur se rialokimi shumës prej 1.5 milion euro bëhet nga veprimi shtatë, me titullin ‘Përkrahja për bizneset fillestare’, meqë gjatë përgatitjes së projektit nga autoriteti kontraktues (Zyra e BE-së) është konstatuar se buxheti i parashikuar gjatë fazës së përgatitjes së programit IPA 2018, ka qenë më i lartë sesa kapaciteti absorbues në këtë sektor.
“Qëllimi i këtij amandamenti është që të mundësohet një rialokim i shumës së kursimeve prej 1.5 milion eurosh brenda projektit të ndërrimit të filtrave të Termocentralit ‘Kosova B’ dhe përmes këtij rialokimi të mundësohet që të sigurojmë bazën ligjore për kontraktimin e kësaj shume të projektit dhe atë brenda afatit kontraktual.”, tha ai.
Numri dy i qeverisë tha se e vetmja mënyrë për të bërë këtë kontraktim është nënshkrimi i marrëveshjes.
“E vetmja mënyrë që ta bëjmë këtë kontraktim brenda kornizës ligjore dhe brenda afateve është që të nënshkruajmë këtë marrëveshje. Zyra e BE-së si autoriteti kontraktues në këtë rast do t’i rialokojë mjetet e parapara në pajtim me rregullat e përcaktuara nga BE përmes IPA programit dhe në pajtim me marrëveshjen kornizë që e kemi… Është shumë me rëndësi që kjo marrëveshje të hyjnë në fuqi sa më parë në mënyrë që shuma prej 1.5 milionë euro të mund të kontraktohen brenda afatit, përndryshe këto mjete duhet të kthehen mbrapa në buxhetin e BE-së. Afati i fundit për kontraktim është tetori i vitit 2022”, shtoi ai, raporton KP.
Nënkryetarja e komisionit Arbëreshë Kryeziu tha se i njëjti projektligj do të procedohet për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare.
Ndërkaq, Komisioni për Integrime Evropiane miratoi edhe projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së dhe projektligjin për punimet nga metalet e çmuara, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
\RTV-Okarina\