Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, qëndron sot në Bruksel për të marrë pjesë në një samit të NATO-s.
Biden do t’u bashkohet udhëheqësve të tjerë të aleancës dhe do të zhvillojë një takim privat me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Anëtarët e NATO-s nuk janë mbledhur ballë për ballë qysh në vitin 2018, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në agjendë të diskutimeve pritet të jenë: tërheqja e trupave nga Afganistani, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, shpenzimet në mbrojtje e të tjera.
Përpara samitit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se takimi vjen “në një moment thelbësor për aleancën” dhe për “sigurinë kolektive”, si dhe paraqet një “mundësi unike” për të rinovuar lidhjet.
“Ne duhet t’u përgjigjemi shumë kërcënimeve dhe sfidave në të njëjtën kohë”, tha Stoltenberg.
“Rusia dhe Kina po veprojnë përsëri kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla; kërcënimi i vazhdueshëm i terrorizmit; sulme të sofistikuara kibernetike; teknologji përçarëse dhe ndryshime klimatike. Asnjë vend dhe asnjë kontinent nuk mund të merret vetëm me të gjitha këto sfida. Por, Evropa dhe Amerika e Veriut nuk janë vetëm. Ne qëndrojmë së bashku në NATO”, shtoi Stoltenberg.
Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, shpesh e ka denigruar NATO-n dhe ka kërcënuar me tërheqje nga aleanca e sigurisë.
Biden viziton Brukselin, pas qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar për një samit të grupit të vendeve më të industrializuara G7.
\RTV-Okarina\