Besarta Jashari rrëfen heroizmin e familjes Jashari në shkollën “Mileniumi i Tretë”

Mes lotësh dhe emocioneve, e vetmja e mbijetuar e ofanzivës serbe ndaj familjes së Jasharajve, Besarta, sot ka rrëfyer historinë e dhimbshme të jetës së saj para nxënësve të klasave të pesta në shkollën “Mileniumi i Tretë”. Ajo ka ndarë bashkë me ta, momente historike të Kosovës, humbjen e familjes së saj dhe momentet e shpëtimit e deri te jeta e saj pas luftës në tejkalimin e sfidave dhe zhvillimin e jetës familjare e profesionale.
“Kam shpëtuar për t’ju treguar sot juve historinë e vërtetë të luftës së Kosovës, e ju mësoni sa më shumë që të bëheni e ardhmja e ndritur e vendit tonë” ishin disa nga fjalët e Besartës drejtuar nxënësve të cilët gjatë gjithë kohës me shumë kureshtje i parashtronin pyetje nga më të ndryshmet.
Kjo ligjëratë u organizua për nder të ditëve që shënojnë “Epopenë e UÇK-së” si ngjarje e cila kujton heronjtë legjendarë Adem e Hamëz Jashari, familjarët e tyre dhe të gjithë dëshmorët e martirët të cilët sakrifikuan për lirinë e Kosovës.