Shkruan: Bekim Jashari
“UÇK-ja nga toka dhe NATO nga qielli, ndalen gjenocidin serb dhe jetësuan ëndrrën shekullore për Liri e Pavarësi
Sot, në 23 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, edhe një herë përsërisim falënderimet, mirënjohjet dhe respektin ndaj shteteve përbërëse të kësaj organizate, SHBA-të, ish Presidentin Clinton, ish sekretaren e shtetit amerikan e cila fatkeqësisht dje ndërroi jetë, Madeleine Albright dhe ish-komandantin suprem të forcave të bashkuara të NATO-s për Evropë, Wesley Clark.
Intervenimi i NATO-s në Kosovë pas gjenocidit që shteti serb po zhvillonte në Kosovë ishte sinjal i qartë që sundimit gjenocidal të Serbisë në Kosovë po i vie fundi.
Gjatë 78 ditëve të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, shteti serb kryente krime të mëdha, duke u nisur nga masakrat mbi civilët si: Masakra e Izbicës, Rezallës, Krushës së Madhe, Suharekës, Podujevës, Mejës, Qyshkut, Burgut të Dubravës etj.
23 vite pas, ushtria jonë, falë përkrahjes së SHBA-ve dhe shteteve mike ka arritur të rreshtohet krah forcave paqeruajtëse të botës duke treguar kështu profesionalizëm dhe gatishmëri për t’i kontribuar paqes në botë.
Rruga jonë vazhdon, një shtet të zhvilluar e integruar në mekanizmat ndërkombëtar dhe në NATO ia kemi borxh heronjve e dëshmorëve të Lirisë, fëmijëve e gjeneratave që vijnë.
Mirënjohje e thellë ndaj NATO-s, SHBA-ve dhe shteteve tona mike!
Lavdi dëshmorëve e martirëve të Lirisë!” /RTV Okarina/