Pas vendimit të Kryetarit të Skenderajt Fadil Nura për vendosjen e pensionistëve në lokacionin e dedikuar për muzeun e qytetit, ka reaguar ish Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili ka thënë se e mirëpret çdo investim dhe përkrahje për pensionistët dhe krijimin e hapësirave të nevojshme për pensionistët por që njëkohësisht ka shprehur shqetësimin që sipas tij kjo qeverisje ka lënë muzeun e qytetit tonë pa objekt ani pse komuna jonë ka shumë mundësi infrastrukturore të tilla edhe më të favorshme për pensionistët pa pasur nevojë që të bëjmë veprime të tilla duke e lënë komunën tonë pa muze dhe asgjë për të prezantuar tek gjeneratat e reja, raporton RTV Okarina.
Reagimi i plotë:
“Të dashur qytetarë,
Duke qenë një vend me një histori të lavdishme dhe pasuri të shumta të trashëgimisë kulturore materiale komuna jona fatkeqësisht duke mos qenë prioritet i atyre që kanë udhëhequr me qytetin tonë, për 18 vite nuk kishte një muze funksional ku do të prezantoheshin vlerat tona historike e tradicionale.
Duke qënë të vetëdijshëm për obligimin që kemi ndaj historisë dhe ruajtjes e promovimit të saj tek gjeneratat e reja si kryetar i komunës, gjatë mandatit tim kam punuar në funksionalizimin e objektit të muzeut të qytetit duke investuar bashkë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes të cilit investim kemi rinovuar një pjesë të objektit të Qendres së Kulturës, të dedikuar për muzeun e qytetit, projekt ky për të cilin ende nuk është kryer pranimi teknik.
Qeverisja e tanishme ka vendosur që hapësirën e rregulluar për muzeun e qytetit tonë ta shëndrrojë në hapësirë për pensionistët e nderuar të qytetit tonë.
Si ish kryetar i Komunës së Skenderajt mirëpres çdo investim dhe përkrahje për pensionistët dhe krijimin e hapësirave të nevojshme për ta.
Njëkohësisht shprehim shqetësimin tonë që kjo qeverisje ka lënë muzeun e qytetit tonë pa objekt ani pse komuna jonë ka shumë mundësi infrastrukturore të tilla edhe më të favorshme për pensionistët pa pasur nevojë që të bëjmë veprime të tilla duke e lënë komunën tonë pa muze dhe asgjë për të prezantuar tek gjeneratat e reja.
Respekti dhe detyrimi që kemi ndaj pensionistëve për kontributin që kanë dhënë në rrugën tonë të çlirimit dhe pavarësimit nuk duhet të shtyjë askënd që të bëjmë gabime dhe keqmenaxhim të parasë publike.
Në këtë drejtim konsiderojmë që mos funksionalizimi i muzeut të qytetit në vendin e përcaktuar ku janë bërë të gjithë investimet dhe përgatitjet e duhura është një veprim i gabuar i kësaj qeverisje dhe një dëshmi më shumë e keqmenaxhimit të parasë publike.
Pra kanë ekzistuar dhe ekzistojnë të gjitha mundësitë që të krijohet një hapësirë e përshtatshme për pensionistët pa pasur nevoj që të shkatërrojmë muzeun dhe vendin e dedikuar për të.
Pas veprimeve të tilla të këtij pushteti shtrohet pyetja, ku do të mbetet muzeu i qytetit, çka do t’iu prezantojmë të rinjve tonë dhe atyre që deshirojnë ta vizitojnë muzeun historik.
Andaj kërkojmë nga qeverisja aktuale që të ndalen me këto veprime dhe eksperimente që në rend të parë demtojnë komunën tonë, historinë e lavdishme, qytetarët dhe të ardhmen e vendit tonë.”