Djali i heroit të kombit Hamëz Jashari, Bekim Jashari ka kërkuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet gjatë muajit tetor, shkruan Okarina Press.
Ai në rrjetin social facebook ka shkruar:
“Të dashur bashkëkombas të Luginës së Preshevës,
Vëllëzer e motra që me këmbëngulësi, sakrificë e krenari ruani trojet shqiptare dhe identitetin kombëtar, kudo që jetoni e veproni, si anëtar i familjes Jashari, i bashkohem thirrjeve të udhëheqësve të Luginës që secili prej jush të merni pjesë në regjistrimin e popullsisë, duke deklaruar përkatësinë kombëtare.
Kështu duke marrë pjesë në këtë proces ju vazhdoni të dëshmoni vendosmerinë për të ruajtur identitetin kombëtar pavarësisht presionit të vazhdueshëm të pushtetit serb për pasivizimin e adresave tuaja.
Ndarjet territoriale, shtypjet e padrejtësitë e pushtetit serb atje, ti kthejmë në mobilizim të përbashkët në mbrojtje të identitetit tonë dhe vendosmëri në kërkim të të drejtave tuaja.
E sotmja e bashkuar dhe e fuqishme mundëson një të ardhme më të mirë për të gjithë ju dhe të ardhmen tuaj bashkë me pjesën tjetër të kombit tonë.
Për kombin dhe të ardhmën e përbashkët!”