Bekim Jashari: Është i papranueshëm keqpërdorimi i fotografisë së Besartës për qëllime politike

 

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari përmes një postimi në llogarinë Facebook, ka reaguar pas vendosjes së një baneri në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, në të cilin është vendosur fotografia e Besarta Jasharit së bashku me dy kandidate për deputete të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë veprim Jashari e ka cilësuar si të pamoralshëm dhe jo njerëzor nga persona për të cilët ende nuk dihet se kush e ka vendosur.

Jashari ka kërkuar nga Organet e Drejtësisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të merren me rastin, në mënyrë që të merren masa konform ligjit për këta persona të pandërgjegjshëm.

 

 

Ky është postimi i plotë i Jasharit:

“Reagim

Sapo më njoftuan që në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, është vendosur një baner me motive politike, në të cilin është e vendosur edhe fotografia e motres sime, Besarta Jashari.

Është e papranueshme, jo njerëzore dhe jo etike keqpërdorimi i personalitetit të motres sime, Besartes, për qëllime të caktuara politike.

Një veprim i tillë, në këtë kohë para zgjedhore i bërë nga kushdoqoftë nuk i bënë nder historisë dhe të kaluares sonë të lavdishme, as atyre që në emër të vlerave tona kombëtare tentojnë të përfitojnë politikisht.

Në lidhje me këtë kerkoj nga organet e rendit si dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të verifikojnë mirë rastin dhe të veprojnë sipas legjislacionit në fuqi.”

/RTV-Okarina/