Bekim Jashari, djali i heroit tonë kombëtar, Hamëz Jashari, në prag të festimit të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka uruar qytetarët për këtë festë, duke kujtuar luftën dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për Lirinë dhe Pavarësinë tonë.
Ai tutje ka thënë se Duke parë fëmijët e shtetit tonë, duke festuar të lirë e të gëzuar pa masë, në nderim të historisë sonë, e kuptojmë se sa e shtrenjtë ishte liria dhe sa e vlefshme është ajo.
Postimi i tij i plotë:
“Të dashur qytetarë, familje të dëshmorëve e martirëve, veteran e invalid të UÇK-së, familjarë të të pagjeturve, viktima civile të luftës,
Nesër bëhen 14 vite që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, shtetit tonë të ndërtuar me shumë mund e sakrificë, mbi gjakun e dëshmorëve e martirëve të lirisë, falë luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, përkrahjes së miqve tonë ndërkombëtar dhe kontributit të gjeneratave të tëra që asnjëherë nuk u dorëzuan në rrugën tonë të çlirimit dhe pavarësimit.
Në këtë festë të madhe, takimi me ju në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe në komplekset tjera të dëshmorëve e martirëve është çdoherë emocional dhe kënaqësi e jashtëzakonshme.
Duke parë fëmijët e shtetit tonë, duke festuar të lirë e të gëzuar pa masë, në nderim të historisë sonë, e kuptojmë se sa e shtrenjtë ishte liria dhe sa e vlefshme është ajo.
Nesër në nderim të atyre që dhanë çdo gjë për Lirinë dhe Pavarësinë tonë, nga ora 10:00, me bashkëpunëtorë dhe qytetarë do të bëjmë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë si dhe nderime tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Skenderaj.
Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të Lirisë!
Urime 14 vjet shtet!” RTV Okarina/